Pakicat në Kosovë, diskriminim në vijimësi
Një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thotë se diskriminimi i vazhdueshëm është bërë faktor që po i shtyn të largohen nga Kosova shumë pjesëtarë të grupeve më të vogla pakicë. Në një raport të publikuar dje, Grupi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pakicave tha se në Kosovë, vitet e fundit, janë theksuar më tej ndarjet etnike në zonën shqiptare dhe serbe dhe se grupet e tjera etnike janë lënë në harresë. Raporti shpreh shqetësim për fatin e pakicave të tjera përfshirë boshnjakët, kroatët, turqit, goranët dhe romët. Në të thuhet se ekziston rreziku i një zhvendosjeje të pandërprerë të komuniteteve pakicë që jetojnë prej shekujsh në Kosovë. Organizata u bën thirrje autoriteteve në Kosovë të garantojnë pjesëmarrjen aktive të të gjitha pakicave, në të gjitha aspektet e jetës publike. Po ashtu kjo organizatë i bën thirrje Bashkimit Evropian t‘u kushtojë më shumë vëmendje komuniteteve pakicë në Kosovë.