E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetë arabë: Më shumë lobim nga Prishtina

Një delegacion i përbashkët parlamentar nga Egjipti, Jordania e Iraku, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka inkurajuar diplomacinë kosovare që të lobojë më shumë te vendet arabe e islamike për njohjen e pavarësisë. Diplomacia kosovare nuk është treguar shumë aktive në lobimin e saj për njohjen e Kosovës te vendet e botës arabe e islame, kanë thënë sot në Prishtinë përfaqësues të parlamenteve të Egjiptit, Irakut dhe Jordanisë.

Delegacioni parlamentar nga këto tri vende ka vlerësuar se mungesa e aktivitetit diplomatik të Prishtinës është një prej arsyeve pse Kosova nuk është njohur nga shumë shtete arabe e islamike. Këto komente, deputetët e këtij delegacioni i kanë bërë pas takimeve që zhvilluan me kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, komisionin parlamentar për politikë të jashtme dhe Bashkësinë Islame të Kosovës. Gamal Zahran, deputet në Parlamentin egjiptian, tha se axhenda e qeverisë egjiptiane ka të bëjë më shumë me çështje të brendshme e rajonale. Kurse, Kosova, sipas tij, nuk ka ardhur ende në axhendë.

"Njohja reale e Kosovës është më e lehtë, sesa njohja zyrtare. Dhe, hapi i parë që duhet të bëjmë, është njohja e pasaportës së Kosovës", tha deputeti egjiptian, i cili personalisht u zotua se do ta ngrejë çështjen e njohjes së Kosovës në Parlamentin e Egjiptit. Ndërkaq, Ala Maki Abdul Razak, deputet në Parlamentin irakian, tha se Iraku i njeh pasaportat e Kosovës dhe, sipas tij, kanë qenë problemet e brendshme në Irak që kanë penguar njohjen e Kosovës deri në këtë fazë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›