E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarkullimi, festë dhe kaos në kryeqytet

TIRANE- Që prej orës 12.00 të ditës së djeshme, rrugët e kryeqytetit kanë qenë thuajse të bllokuara, për shkak të masave të larta të sigurisë, të marra nga policia për aktivitetet e organizuara, në kuadër të festimeve për anëtarësimin në NATO.

Nga bllokimet e rrugëve veçohej vetëm Unaza e Vogël e Tiranës, nga e cila drejtuesit e mjeteve duhej të lëviznin vetëm brenda saj dhe jo në drejtim të bulevardit.

Kjo ka bërë që ngarkesa e qarkullimit në kryeqytet të rritej gjatë ditës së djeshme, në akset kryesore që të dërgonin në qendër të Tiranës, apo të personave që kërkonin të dilnin nga kryeqyteti në drejtim të rrugës së Elbasanit, apo në drejtime të tjera.

Pikun, trafiku në kryeqytet e ka arritur në kohën që në qendër të Tiranës, zhvillohej koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve. Ndërkaq, masat e ndalimqarkullimit të policisë në disa zona të kryeqytetit, gjatë ditës së djeshme janë marrë, në orët e para të paradites, në pritje të delegacionit shqiptar që mori pjesë në Strasburg-Kehl.

Autostrada Tiranë- Durrës u bllokua pas orës 12:00 të mesditës, deri në orën 13:00, duke devijuar lëvizjen e automjeteve në rrugën dytësore. Ndërkaq, pasditen e djeshme, policia ka bllokuar sheshin "Skënderbej", rrugën "Myslym Shyri", duke mos lejuar futjen e mjeteve në bulevard, por vetëm në drejtim të Parlamentit.

Po kështu, rruga "Ismail Qemali", në drejtim të bulevardit ka qenë bllokuar dhe gjithashtu edhe rruga pranë stadiumit "Qemal Stafa", në drejtim të Universitetit Politeknik. Kjo ka shkaktuar kaos derisa shoferët janë orientuar dhe kanë kuptuar drejtimet e mundshme të lëvizjes së mjeteve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›