Tepelenë, gardisti i dehur rreh policin
Polici rrihet në shërbim nga kolegu. Shpallet në kërkim gardisti Ervis Mërtiri, SHKB pezullon nga detyra Blerim Mëhillin
GJIROKASTËR- Policët në gjendje të dehur fyejnë dhe godasin me grushte kolegët e tyre në krye të detyrës dhe më tej edhe largohen nga vendngjarja. Një rast i paprecedent, i shkaktuar prej uniformave blu ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër - Tepelenë. Njëri prej uniformave blu është pezulluar nga detyra, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po heton për këtë rast.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 18.00 të së shtunës në rrugën kombëtare Gjirokastër- Tepelenë, pranë Urës së Leklit. Punonjës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, komisariateve përkatëse të Tepelenës dhe Gjirokastrës, të mbështetur edhe nga grupi i gatshëm kanë qenë në këtë kohë në krye të detyrës, më qëllim parandalimin e rasteve të mundshme të trafiqeve të ndryshme.
Në këtë moment, efektivat blu kanë ndaluar automjetin tip BMË me targa "GJ 8420 A", me drejtues mjeti shtetasin Qëndrim Çela, nga fshati Krahës dhe i kanë kërkuar dokumentet.
"Dokumentet i ka shefi që vjen më pas". Kështu i është përgjigjur kërkesës së policisë shtetasi Qëndrim Çela, duke refuzuar të paraqiste dokumentacionin. Vetëm pak minuta më pas, pranë postbllokut të policisë kanë mbërritur me një automjet me targa të huaja dy efektiva blu, përkatësisht punonjësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe njëkohësisht shoferi i drejtorit të policisë, i shoqëruar nga një person, Evis Mërtiri, efektiv pranë Gardës së Republikës.
Ndalimi nga ana e policisë e mikut të tyre ka bërë që personat e policisë të debatojnë ashpër me kolegët e tyre, ndërsa nuk kanë ngurruar të godasin me grushte edhe njërin prej policëve në shërbim, inspektorin e policisë së rendit, A.G, duke i shkaktuar plagë në syrin e majtë. Ndërkaq, burime konfidenciale të pranishme në ngjarje, kane bërë të ditur se policët në detyrë janë kërcënuar madje edhe me anë të pistoletave.
Pas ngjarjes, në situatë tepër të paqartë dy prej personave kanë mundur të largohen nga vendngjarja, ndërsa uniformat blu kanë vënë në dijeni drejtuesit e policisë në lidhje me këtë rast skandaloz. "Forcat e policisë në postbllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe shoqërimin e personave për në komisariat, por shtetasi Evis Mërtiri dhe Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës",-thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Gjirokastrës për këtë ngjarje, ndërsa për tri personat deklarohet se kanë qenë të dehur.
Masat
Menjëherë me marrjen e njoftimit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka nisur hetimet për këtë ngjarje tepër të rëndë.
Pas pyetjes së efektivave blu që kanë qenë të pranishëm në kohën kur ndodhi ngjarja, punonjësi i policisë Blerim Mëhilli është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij kanë nisur procedurat disiplinore, ndërsa janë organizuar patrullat për arrestimin e dy shtetasve të tjerë, Qëndrim Çela dhe policin e Gardës së Republikës, Evis Mërtiri.
Hetimet po vijojnë, ndërsa mësohet se sot (e hënë) në mëngjes dosja do të dorëzohet pranë Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila do të zbardhë këtë rast të paprecedent.