E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarkullimi në aksin Korçë-Pogradec, bllokohen 200 mjete të tonazhit të rëndë

Përkeqësimi i kushteve klimaterike të motit në dy ditët e fundit vazhdon të mbajë peng rajonin juglindor të vendit. Gjatë ditës së djeshme, situata më e rënduar është paraqitur në segmentin Korçë-Pogradec në Qafë-Plloçë, ku rreth 200 automjete të tonazhit të rëndë përgjatë gjithë ditës nuk janë lejuar të qarkullojnë, pasi mund të shkaktonin bllokimin e rrugës, e cila qëndronte e hapur vetëm në një kah dhe në të mund të lëvizin vetëm automjetet e vogla. Lëvizja në këtë aks mjaft të rëndësishëm është kryer vetëm me zinxhirë, ndërsa shërbimet e policisë së shtetit nuk kanë lejuar udhëtimin e automjeteve pa zinxhirë, duke i kthyer ato pas. Kjo ka krijuar konfuzion, ndërsa dhe disa dhjetëra autobusë në të dy anët e kësaj rruge në Qafë-Plloçë kanë mbetur të izoluar, duke qëndruar si kamionët në radhë deri sa lejoheshin të lëviznin një e nga një nga policia. Burime të kësaj të fundit bëjnë të ditur se edhe mjetet e tonazhit të rëndë që vijnë kryesisht nga Greqia ose synojnë shtetin fqinj lejohen të kalojnë 10 e nga 10 në momentet që nuk ka lëvizje të automjeteve të vogla. Përsa iu përket akseve të tjera të juglindjes kalimet kanë qenë vetëm me zinxhirë. Kështu segmenti Korçë-Kolonë është më i vështirë në Qafën e Qarrrit ku trashësia e dëborës i ka kaluar të 40 cm. Gjithashtu dhe segmenti tjetër Korçë-Kapshticë është i kalueshëm me zinxhirë, duke mos krijuar probleme në lëvizjen e automjeteve të shumta që vijnë nga Greqia dhe anasjelltas. Por përveç rrugëve nacionale janë disa zona ende të ilozuara totalisht në qarkun e Korçës si zona e Dardhës, Voskopojës, dy komuna në rrethin e Kolonjës etj., ndërsa e mbyllur është rruga për në Moglicë etj,. Sipas të dhënave të Shtabit të Emergjencave Civile pranë prefekturës së Korçës mësohet se mjetet borëpastruese, fadroma, traktorë etj., janë shpërndarë në të gjithë rrugët nacionale por dhe ato rurale. Vëmendje më e madhe është treguar për segmentin Korçë-Pogradec në Qafë-Plloçë, i cili ka pasur probleme serioze gati të pandryshuara nga vargu i gjatë i mjeteve, në 24 orët e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›