E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarqet nacionaliste dhe zërat realistë

Zërat realistë lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd, në veçanti, dhe në Serbi, në përgjithësi, janë të rrallë, pasi duket qartë se, të paktën, deri tani, një nacionalizëm i verbër vazhdon t‘i zërë sytë shumicës, sidomos atyre që kanë mundësi të përpunojnë opinionin publik serb. Kështu që, sapo dëgjohet një zë, qoftë edhe sado pak realist, që del jashtë "korit" të përgjithshëm nacionalist lidhur me pavarësinë e Kosovës, qarqet nacionaliste në Serbi hidhen përpjetë të alarmuar, duke u çjerrë me të madhe se po shiten interesat kombëtare të Serbisë, se pavarësia e Kosovës po pranohet edhe në Serbi e kështu me radhë. Kështu i ndodhi edhe zëvendëskryetares së Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës, Rada Trajkoviç, që guxoi të bëjë një deklaratë të "papjekur" dhe, si pasojë, kundër saj qarqet nacionaliste serbe shpërthyen një sulm frontal të egër se ajo po e pranon pavarësinë e Kosovës.

Znj. Trajkoviç, në një deklaratë të ditëve të fundit, vlerësoi se Presidenti serb, Boris Tadiç, dhe autoritetet shqiptare të Kosovës treguan "kurajë të madhe", kur shprehën gatishmërinë të zhvillojnë bisedime për "çështje të jetës së përditshme". Mjaftoi kjo që ajo të vihej në qendër të kritikave të ashpra në Serbi se, me deklaratën e vet, ajo u la të kuptojë publikisht njerëzve se Presidenti Tadiç, në këto bisedime, nuk do të trajtojë çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe se "synonte ta fuste, në mënyrë të rafinuar, Tadiçin në kurthin e njohjes së Kosovës, duke i atribuuar fjalët se ai ka ‘kurajë‘ të bisedojë për çështje të energjisë elektrike, doganës, shkollave dhe shëndetësisë, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë joshqiptare". Sipas qarqeve nacionaliste serbe, deklarata e znj. Trajkoviç nënkupton se ajo është në favor të bisedimeve mes dy "palëve të barabarta", pra ajo e pranon pavarësinë e Kosovës, pra qenien e kësaj të fundit shtet, duke shitur kështu "interesat kombëtare" serbe. Në këto qarqe vihet në dukje sesi ka mundësi që një politikane që merr para nga buxheti i Serbisë, të bëjë deklarata të tilla, madje e akuzon znj. Rada, serbe nga Graçanica, për hipokrizi të madhe, kur u bëri thirrje të dyja palëve që situatën e re të krijuar ta shfrytëzojnë që popujt kosovarë t‘u afrohen njëri-tjetrit".

Analisti politik serb, Aleksandar Paviç, vë në dukje se sapo dikush shqipton fjalët popujt "kosovarë", kjo do të thotë se ai e njeh Kosovën si shtet! "Ky person (Rada Trajkoviç) mban qëndrime që janë në linjën e SHBA-së; përdor fjalën ‘kurajë‘, të cilën e përdor shpesh Departamenti amerikan i Shtetit si atribut për njerëzit që janë të gatshëm të punojnë hapur kundër interesave kombëtare. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një konstruksion oruellian, pasi bëhen përpjekje që e zeza të paraqitet si e bardhë, lufta - si paqe dhe tradhtia - si kurajë! Deklarata të tilla synojnë që të ushtrojnë presion mbi Tadiçin që ai të heqë dorë nga politika, që është definuar që para një viti në nivel shteti, që të mos zhvillohen bisedime për asgjë tjetër, veç për statusin e Kosovës që është çështja më jetike, nga të cilat rrjedhin të gjitha çështjet e tjera", thekson Paviç, duke mos e kursyer gjuhën plot helm në adresë të Rada Trajkoviçit.

Që Rada Trajkoviçi të diskreditohet sa më shumë jo vetëm politikisht, por edhe publikisht, moralit të së cilës nuk mund t‘i besohet, krahas akuzave për shitje të interesave kombëtare serbe, ajo po cilësohet tani në qarqet nacionaliste serbe edhe si kontrabandiste! Funksionari i lartë i Partisë Progresiste Serbe (SNS), në fakt ultranacionaliste, e akuzoi këto ditë znj. Trajkoviç se, midis të tjerash, ajo ka përgjegjësi që kontingjente të mëdha ilaçesh që janë dërguar nga Beogradi me destinacion enklavat serbe, kanë përfunduar në farmacitë e Prishtinës. "Ajo përpiqet t‘ia hedhë shtetit, duke u hedhur në sulme kundër të tjerëve, para se të tjerët ta akuzojnë atë për ato që bënë. Nuk e kuptoj sesi ajo arrin të mbrohet nga të dyja anët (palët), pra edhe nga institucionet ‘fantazmë‘ kosovare, pasi bën deklarata që u shkojnë atyre për shtat, dhe, në të njëjtën kohë, edhe nga Beogradi", thotë Arsiç.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb të pjesës veriore të Kosovës, Milan Ivanoviç, nga ana e tij, në përpjekje që të distancohet nga deklarata e zëvendëses së tij, paralajmëroi këto ditë se duhet të tregohet kujdes në çdo deklaratë nga kushdo qoftë, me qëllim që "Prishtinës të mos i atribuohet ndonjë rol partneri, që shqiptarët të mos ngrihen në nivel shtetësie". Sipas tij, "të gjitha bisedimet duhet të zhvillohen vetëm me UNMIK-un, kurse për çështjet e sigurisë - vetëm me KFOR-in". Edhe Ivanoviçi nuk ngurroi ta sulmojë Rada Trajkoviçin, duke theksuar se "ajo, me deklaratën që bëri, synonte t‘i atribuonte Tadiçit diçka që ai nuk e kishte ndërmend ta thoshte, që t‘i vinte në pozita të barabarta Beogradin dhe Prishtinën, që nuk është gjë tjetër, veçse njohje e pavarësisë së Kosovës, në përpjekje për ta futur këtë (pavarësinë e Kosovës) jo nga dera e vogël, por nga dera e madhe. Serbët janë i vetmi popull konstituiv në Serbi. Ata (serbët) kanë qenë të tillë edhe në Malin e Zi dhe Kroaci, kurse Rada Trajkoviç duket se është në favor të asaj që ata të mos jenë të tillë as në këtë krahinë (Kosovë), kurse një pakicë, një bashkësi etnike, ta shndërrojë në një popull konstituiv. Deklaratat që ajo bën, i porosisin ata që i dhanë pavarësinë Kosmetit", deklaroi Milan Ivanoviçi.

Ǒështë e vërteta, nuk është shumë e sigurt nëse zëvendëskryetarja e Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë, Rada Trajkoviç, me deklaratën e saj, me të vërtetë, synonte t‘i atribuonte ose të ushtronte presion mbi Presidentin serb Boris Tadiç, se ai është në favor të zhvillimit të bisedimeve me autoritetet e larta të Kosovës për "çështje të jetës së përditshme", por kjo, sidoqoftë, nuk ka shumë rëndësi, pasi në sy të bie "vigjilenca" dhe "syçelësia" e qarqeve nacionaliste serbe që askush, qoftë edhe një grimë, të mos bëjë deklarata që mund të aludojnë mundësinë edhe më të vogël kolaterale të njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›