E Diel, 1 Nëntor 2026

Rilindja e nacionalzimit ekonomik

1.

Nga nacionalizmi etnik në atë ekonomik

Gjallërimi i nacionalizmave është një ndër tiparet kryesore të epokës. Vatrat e konflikteve etnike u janë bashkangjitur proceseve globalizuese dhe demokratizuese në mjaft rajone, përshirë rajonin ku na ka rënë fati të jetojmë. Duke u shndërruar në gjyle nëpër këmbët e vendeve në zhvillim. Ndërkohë që harta e konflikteve etnike nuk është se po reduktohet, kriza botërore na prezanton një lloj nacionalizmi që e kishim harruar: atë ekonomik dhe financiar. Entuziazmi globalizues që ka përfshirë botën e sotme, nga Silicon Valley në Hong Kong, nga fjordet skandinave në Afrikën e Jugut, nga naftëtarët e Alaskës në bulmet-shitësit e Labërisë, po fillojnë të bashkëjetojnë me trishtimin se mjaft vende po mbyllin kufijtë dhe tregjet. Që kriza financiare po e shpie botën e industrializuar në recesion, kjo nuk ka më asnjë dyshim. Që kriza e botës së industrializuar po përhapet me shpejtësi në botën në zhvillim, edhe kjo është një fakt i pranuar botërisht. Por ajo që të trishton më shumë është alarmi i strategjistëve ekonomikë e politikë se vendet e Evropës Lindore e Qendrore janë në pozitën më vulnerable përballë zonjës krizë. Tregjet e reja dhe të paqëndrueshme të këtyre vendeve kanë filluar të ndiejnë pasojat e saj. Në fillim në sektorin bankar, por jo vetëm në të. Paradoksi është se ndërsa kriza po përhapet, tregjet po mbyllen.

2.

Kodoshllëku i politikë-bërësve

Davos 2009 nuk mund të mos ishte i zymtë. Të gjithë, nga kryeministrat tek analistët e reporterët vunë në shënjestër politikat proteksioniste, si rrezikun më të madh të ekonomisë botërore. Të tmerruar nga shenjat e merkantilizmit financiar, vendim-marrësit më të rëndësishëm të globit dhanë alarmin e fluksit të kapitaleve nga jashtë brenda vendit, nga tregu global në tregjet kombëtare. Ku është paradoksi? Ndërsa reporterët nga Davos përcillnin shqetësimet dhe frymëzimet antiproteksioniste, gazetarët nga vendet e industrializuara raportonin të kundërtën: shqetësimin se qeverisësit antiproteksionistë, me dekrete të qeverive, po ligjërojnë në vendet e tyre barriera proteksioniste. Ky paradoks ka përfshirë më së pari sistemin bankar. Kryeministrat dhe guvernatorët, të brengosur nga ankthet e krizës, po nxitojnë të marrin masa për të penguar kreditimin e klientëve të huaj. Të tjerë lëshojnë mesazhe të pakoduara që bankat mëmë të kufizojnë transferimin e fondeve jashtë vendit, në filialet e tyre në vendet e tjera ose fqinje. Madje, qeveritë e vendeve të industrializuara e kanë kushtëzuar ndihmën e tyre ndaj sistemeve të tronditura bankare, me plotësimin e kushtit të mësipërm. Në këto rrethana, vendeve në zhvillim po u pakësohen me shpejtësi burimet e investimeve nga kreditimi.

Por në lojë nuk kanë hyrë vetëm qeveritë. Paniku i krizës ka përfshirë qytetarët dhe opinionin publik. Para pak ditësh, Italia dhe Britania e Madhe hynë në debat për njëqind inxhinierë italianë, të transferuar nga Italia në Britaninë veriore, për llogari të kompanisë italiane, fituese e një tenderi në Britani. Në këtë mënyrë, në mjaft vende ose grupime vendesh, po ushtrohet një presion i hapur për ndërtimin e barrierave proteksioniste. Deri tani kanë dalë në pah barrierat për qarkullimin e kapitalit financiar dhe kapitalit njerëzor, pra fuqisw punëtore. Kapitali financiar pengohet të lëvizë nga brenda jashtë vendit. Ndërsa kapitali njerëzor pengohet në drejtimin e kundërt: në lëvizjen e tij nga jashtë, brenda vendit. Nuk ka dyshim që ngadalësimi ose vështirësimi i qarkullimit të parave dhe fuqisë punëtore do të pasohet nga vështirësimi i qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve. Qarkullimi i tyre ka të ngjarë të vështirësohet në të dy drejtimet. Kjo perspektivë nuk vjen thjesht nga ligjësitë e verbra të tregut, por edhe nga mëdyshjet, paqartësitë dhe hipokrizia e politikë-bërësve.

3.

Vulnerabiliteti i Shqipërisë

Evropa Lindore dhe Qendrore duket mjaft e ekspozuar ndaj risqeve të krizës globale dhe nacionalizmit ekonomik dhe financiar që po shfaqet në botën e industrializuar. Rajoni ka një shkallë të lartë varësie nga tregjet e huaja financiare dhe të punës, në krahasim, fjala vjen me rajonet e tjera në zhvillim, sidomos ato aziatike. Nga ky rajon nisin disa nga korridoret kryesore të emigrimit në botën e sotme. Ndërsa Shqipëria pritet të fundoset brenda këtij vulnerabiliteti, edhe për shkak të rrethanave të saj specifike. Vendi ka ndoshta shkallën më të lartë të varësisë nga bankat e huaja në rajon. Shumica e bankave që operojnë në Shqipëri janë filiale të bankave të huaja. Sinjalet që u vijnë këtyre bankave nga vendet e origjinës dhe bankat mëmë nuk lënë vend për shumë optimizëm. Në një rast tronditjeje të sistemit bankar në këto vende, vala e parë goditëse do të shkarkohet mbi filialet në Shqipëri. Bankat, shkruante pra pak ditësh "The Economist", janë globale kur janë gjallë, por kombëtare kur falimentojnë.

Nga ana tjetër, shumica e këtyre bankave operojnë me depozitat e emigrantëve, të cilët lëvizin paratë në korridoret e vendeve pritëse. Korridori Shqipëri-Greqi dhe Shqipëri-Itali janë ndër korridoret më të rëndësishme të emigrimit për rajonin. Në një rast paniku të emigrantëve, për shkak të paqëndrueshmërisë së tregjeve të punës dhe tregjeve financiare në vendet e destinimit, bankat mund të pësojnë tronditje jo të vogla. Shqipëria ka, gjithashtu, shkallën më të lartë në rajon, madje në një kontekst më të gjerë, nga remitancat e emigrantëve. Të ardhurat nga emigracioni përbëjnë rreth 15 për qind tw GDP-së. Pakësimi i remitancave, përveç ndikimit në sistemin bankar dhe tregjet financiare, do të sjellë uljen e konsumit, kërkesës për mallra e shërbime, dhe cilësisë së jetës së popullsisë. Përveç kësaj, vendi ka një shkallë të lartë varësie nga importet. Hyrja e vendeve fqinje në recesion pritet të ndikojë në bilancin e import-eksportit të këtyre vendeve, ndikim që natyrshëm do të ndihet edhe në Shqipëri. Në këto rrethana, nuk ka vend as për optimizëm të shtirur, as për masa rutinore, por për politika të zgjuara parandaluese. Të cilat mungojnë dhe nuk i janë bërë të njohura publikut. Në kohw krizash ose parakrizash, politikat publike kërkojnë, më tepër se kurrë, konsensusin e opinionit publik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›