E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato: Dieta, në varësi të programit stërvitor

I pyetur se cfarë ha dhe sa ndikon dieta apo regjimi ushqimor në suksesin e tij, Kreshnik Qato ka shpjeguar në detaj për "Standard", duke theksuar se dita e tij është në varësi të programit stërvitor. "Dieta ime nuk mund të jetë gjithmonë e njëjtë, ajo ndahet në tri periudha, - thotë boksier durrsak. - Periudha e parë është ajo 9-6 javë para ndeshjes, e cila është e pasur me proteina dhe vitamina të marra në mënyrë natyrale, por jo me sasi të tepruara. Kjo është edhe periudha kur duhet të filloj të harroj bukën dhe brumin, por megjithatë, dieta më e rreptë fillon në periudhën e dyte, e cila është 5 javë para ndeshjes dhe kontrollohet rreptësisht nga dietologu, pasi në sportin e boksit është shumë e rëndësishme ruajtja e peshës për të cilën bokson dhe mua zakonisht më duhet të humbas deri në 4 kg."
Më tej, Qato shtoi: "Kjo dietë në këtë fazë sigurisht që është e pasur me proteina dhe vitamina, por tashmë ato më duhet t'i marr me anë të tabletave të rekomanduara nga dietologu sportiv, (nuk mund të lë pa përmendur që pjata ime e preferuar është mishi i qengjit me patate të pjekura, por që gjatë dietës më duhet ta zëvendësoj me peshk të pjekur në skarë me perime dhe pa kripë). Sallata jeshile, domatet dhe kastraveci janë të pandara gjatë kësaj periudhe si dhe supa me peshk dhe zarzavate. Pas ndeshjes është periudha e tretë në të cilën mundohem ta kënaq veten me ato ushqime që më kanë munguar, por që zgjat shumë pak. Të gjitha këto ndikojnë në suksesin tim, pasi më mbajnë në formë të mirë sportive dhe më bëjnë që ta përballoj me sukses ngarkesën."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›