E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato nesër ndeshet me hungarezin Surman

Kampioni i botës në versionin VBF Kreshnik Qato do të ndeshet nesër në Londër me boksierin hungarez Zoltan Surman. Kjo sfidë do të zhvillohet në kryeqytetin anglez, Londër, ku është edhe rezidenca e boksierit të njohur shqiptar, i cili për momentin mban titullin e kampionit të botës në versionin "VBF". Kjo ndeshje do t'i shërbejë Qatos si parapërgatitja më e mirë për sfidën që do të ketë së shpejti në mbrojtje të këtij titulli.
Surman është një boksier 32-vjeçar nga Hungaria, i cili ka një karriere jo të madhe dhe numëron në total 14 ndeshje, prej të cilave 8 fitore (6 me "knock out"), 5 humbje (4 me "knock out") dhe 1 barazim.
Ndërsa Qato ka një bilanc prej 17 fitoresh dhe 6 humbjesh dhe në katër vitet e fundit ai mbetet i pamposhtur, duke shënuar 12 fitore radhazi.
Deri tani, numri i biletave të shitura deri më tani arrin 1 mijë, të cilat janë tërhequr kryesisht nga tifozët shqiptarë që jetojnë në Londër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›