E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Bollano të shkarkohet, ka fyer shqiptarët

 

Ngjela i kërkoi Topit që t'i kërkojë Kryeprokurores të filloje proces penal ndaj Bollanos

TIRANË- Avokat Spartak Ngjela jo më kot kërkoi i pari fjalën në diskutimet jashtë rendit të ditës, gjatë seancës së djeshme në Kuvend. Madje dalja e tij nuk ka qenë as spontane, por e menduar dhe e shkruar kësaj here në një letër, ku ka kërkuar me ngulm shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ngjela ka akuzuar këtë të fundit se ka pasur interes për të organizuar protesta në Himarë, duke i kërkuar në mënyrë publike Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që t'i kërkojë Kryeprokurores të nisë proces penal ndaj tij. "Ai ka ndaluar në mënyrë arbitrare të gjitha investimet ne Himarë. Shpërdoron në mënyrë abuzive e të padrejtë të gjitha fondet e mbledhura, në mënyrë që të mos lejojë asnjë zhvillim në Himarë. E kam investiguar vetë. Derisa më në fund, para disa ditësh merr pjesë në një demonstratë, ku thërret: "Jashtë shqiptarët nga Himara". Që do të thotë nga Shqipëria. Nuk e di se ku e gjen forcën, që kërcënon dhe fyen shqiptarët në vendin e vet. Nuk e di se si mund të dëgjohet më tej një njeri si ky, që mund të mashtrojë shqiptarët, madje t'i poshtërojë në vendin e vet, pasi mendon se paska me naivitet përkrahjen e një shteti më të fuqishëm se ne. Madje na thërret edhe administratore për ndihmë",- tha dje Ngjela në Kuvend. Pikërisht për këtë arsye, ai ka kërkuar që Kryetari i Bashkisë së Himarës të pushohet nga puna dhe t'i dërgohet akuzës për ta çuar në Gjykatë. "Z.President i Republikës ju duhet menjëherë t'i kërkoni Prokurorisë së Përgjithshme, përkatësisht Prokurores, të nisë proces penal kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës sepse ka dhunuar Kushtetutën dhe ka fyer popullin shqiptar",- tha Ngjela. Ai ka theksuar se askush nuk mund të tallet me simbolet e vendit. "Jo zotëri, ta dini mirë, edhe Bollano, edhe partia që ka këtu, ta dinë mirë se me simbolet tona nuk lejojmë njeri që të tallet",- tha Ngjela. Duke e cilësuar Bollanon si "një bandit që fyen simbolet kombëtare", ai i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të vërë në vend nderin e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›