E Diel, 1 Nëntor 2026

Që nga dita e djeshme bileta për Unazën shkon në 30 lekë



Emanuela Sako

Qytetarët që udhëtojnë me linjën urbane të Unazës, nga dita e djeshme, do të paguajnë biletën me çmimin e ri prej 30 lekësh. Edhe pse ky çmim ishte lajmëruar që në fillim të muajit Shoqata Kombëtare e Transportit Urban nuk aplikuar ende tarifën e re në këtë linjë. Udhëtarët që kanë udhëtuar pasditen e djeshme në linjën e Unazës kanë shprehur pakënaqësinë për këtë rritje, pasi gjatë paradites ata kanë udhëtuar me tarifat e hershme prej 20 lekësh. Madje fatorinot e kësaj linje shprehen si me shaka se nëse ndokush nuk ka lekë po u bëjnë ndonjë favor. Por gjithsesi tarifa ngelet e njëjtë dhe tashmë e ligjëruar, pas vendimit të fundit të pak ditëve më parë të marr nga qeveria, e cila vendosi tarifat e reja për biletat dhe abonetë në të gjitha linjat urbane të qytetit të Tiranës. Ndërkohë linjat e tjera urbane, si ajo e Uzinës, Kamzës, Laprakës etj, e aplikuan që në fillim të muajit çmimin e ri, madje menjëherë pas daljes së vendimit të qeverisë.
Linjat
Linjat e tjera urbane që qarkullojnë në të gjithë qytetin e kanë aplikuar vendosjen e tarifës së re të biletës që në fillim të muajit qershor. Në këtë kohë u vendos rritja e çmimit të biletës, në bazë të vendimit të ri të qeverisë. Linja urbane e Unazës ka qenë e fundit që aplikoi rritjen. Ndërkohë debatet mes qytetarëve dhe fatorinove nuk kanë të sosur, pasi askush nuk do që të paguajë edhe 10 lekë më tepër. Qytetarët shprehen se për ta ishte e vështirë të përballonin udhëtimin edhe me vlerën që kishte më parë bileta. Shoqata Kombëtare e Transportit Urban, që prej një vitit i kishte kërkuar qeverisë dhe autoriteteve përkatëse që të rriste çmimin e biletës dhe aboneve, pasi nuk mund të përballonin koston që kishte lëvizja në qytet me rritjen e çmimit të naftës. Madje u pezullua në mënyrë të njëpasnjëshme hedhja në treg e aboneve çdo fillim muaji. Ndërsa morën masa për të mos njohur asnjë dokument që lejonte udhëtimin falas të qytetarëve, ku pati edhe protesta para Bashkisë së Tiranës. Shoqata e Invalidëve të Punës protestoi ashpër për këtë çështje, duke pretenduar se jan keqtrajtuar nga fatorinot, të cilët i janë zbritur me forcë nga urbanët.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›