E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specat, lubrifikanti dhe “lehja” e qytetarit



Fatos Çoçoli
Një nga televizionet tona “kombëtare”, duke luajtur me lajmin e mundësisë që në Shqipëri të ishte futur vaj ushqimor i ndotur me vaj makinash(lubrifikant)-Greqia ndërkohë kishte bllokuar një sasi vaji të tillë-, perifrazonte se “shqiptarët tani do t’i skuqin specat me karburant. Mjafton të dalin, të hapin kapakun e motorit të makinës së tyre dhe çfarë mbledhin ta hedhin në tigan!”. Gjithçka duket se besohet se hyn tek ne, për arsye të strukturës së dobët të kontrolleve shtetërore. Megjithatë, përtej kësaj ndjesie të natyrshme tek ne, abuzimi me lajmin nganjëherë merr forma groteske. Ministria jonë e Bujqësisë dërgoi kampionët e këtij vaji “fajtor” në Itali. Ku dhe nga erdhi përgjigjja se vaji i importuar nga Greqia në Shqipëri ishte i pastër, pa lubrifikantë. ǒi ngeli shpotitësve dhe tallësve tanë të stërvitur mediatikë? Janë një kategori që nuk njohin kulturën e përgënjeshtrimit. Në një terren në dukje “anarkik” si lajmi për publikun e gjerë, abuzimi me të ngjan si gjëja më e kollajshme dhe më pa përgjegjësi. Duke qenë se shumica e shpifjeve nëpërmjet mediave nuk ndëshkohen, këta shpotitës e gjejnë bukë e djathë punën e zgjerimit të përbaltjes së gjërave shqiptare, pa çka se kjo përbaltje mund të jetë shpifje e pastër. Mirëfilli dëmtojnë mediat ku hanë bukën, pse njerëzit nuk blejnë gazetat që spekulojnë me lajmet apo e shtypin më rrallë pultin e televizionit në numrin e kanalit televiziv që përmban birbo të tillë. Ndërkohë, përtej problemeve që kemi me përbaltjen “prodhim vendi”, dërgimi i kampionëve të mallrave ushqimore jashtë vendit tradhton mundësitë apo kapacitetet fare të pakta(në mos hiç) që kemi për të kryer analiza objektiva e sipas fjalës së fundit të shkencës për produktet ushqimore që ofron tregu shqiptar. Të paktën një laborator duhet ta pajisim e ta kompletojmë. Ende një gjë të tillë nuk e kemi bërë. Donatorët si BE apo FAO japin miliona euro për sigurinë ushqimore(kryesisht për të paguar sa frëngu pulën ekspertë të huaj që të na mbushin me studime qindra faqëshe), por sikur nuk përfillin 600 mijë eurot që nevojiten për të realizuar një laborator të tillë. Ministri i sotëm i Bujqësisë ka provuar t’i sensibilizojë, por ka hasur një mur të hekurt. E njëjta gjendje pamundësie kontrolli apo testimi është dhe për mallrat industriale. Tregje si ajo e tipit çam në qendër të Tiranës ofrojnë mallra kineze me çmime 2-8 euro, por janë shapka apo sandale që të grisen sa i vesh në këmbë, apo lodra fëmijësh që prishen sa u hapet kutia mbështjellëse. Me sa duket tregtarët tanë mbushin vaporët në Kinë jo thjesht me mallrat e lira të këtij vendi gjigant, por me mallrat e lira skarco, që janë kështu edhe më të lira. Dhe fitimi shumëfishohet në kurriz të cilësisë së jetës së konsumatorit shqiptar. A ka kush e mbron këtë të fundit nga ky abuzim që vijon ndër vite? A ka ku të ankohet qytetari i thjeshtë? Lypset një strukturë që të mbajë nën presion ministrit1% tona: jo vetëm atë të Bujqësisë, por edhe të Ekonomisë për mallrat industriale, apo të Transportit dhe Punëve Publike për lëndët skarco të ndërtimit që shiten rëndom në dyqanet tona, e kështu me radhë. Mos është kjo një gjendje-ëndërr për ne konsumatorët e thjeshtë? Nuk ka pse të jetë e tillë. Detyra e çdo qeverie është të mbrojë konsumatorin e vet. Nëse ministria e Bujqësisë e kreu atë për një rast që u bë i njohur si rrezik nëpër media, ministritë e tjera nuk kanë pse të presin denoncimet e mediave. Gjendja në tregjet e regjistruara apo jo të vendit është skandaloze, përsa u përket standardeve të cilësisë apo qoftë edhe të përdorimit më të rëndomtë të mallrave të konsumit të përditshëm. Ministritë tona flenë gjumë, të mësuara me një konsumator shqiptar tolerant dhe të pandërgjegjësuar për të denoncuar me forcë mallrat skarco që blen dhe mashtrimin e përditshëm viktimë e të cilit është në treg. Qytetari ynë thjesht ka humbur shpresën dhe e derdh hidhërimin e dëshpërimin e tij me sharje kafeneve apo në fytyrë shitësve tanë që janë tashmë regjur me reagime të tilla. Për sa kohë nuk u vjen kontrollori i shtetit t’u bllokojë mallin, ata kanë më se të drejtë të thonë “Lehni, lehni, qytetarë!”.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›