Dobjani: “Ministria e Mbrojtjes të marrë masa, rrezikohen 25 zona të banuara”
Laureta Rryçi
Avokati i Popullit i kërkon ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, rritjen e kujdesit për të gjitha pikat që janë në administrim të kësaj ministrie, por përbëjnë rrezik për jetën e shqiptarëve. Falë një rekomandimi zyrtar, Dobjani e ka njohur Oketën me iniciativën që pati ndërmarrë institucioni që ai drejton pas tragjedisë së Gërdecit. Avokati i Popullit ka shpjeguar se pak ditë pas tragjedisë u kërkoi të gjithë drejtuesve të qeverisjes vendore që të jepnin informacion nëse kishte zona rreziku në vendet ku ata drejtonin. Informacioni prej tyre ka mbërritur dhe pas kësaj, Dobjani ka përpiluar rekomandimin.
Informacioni
Avokati i Popullit, duke marre shkas nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec si dhe duke pasur parasysh se e drejta e jetës së shqiptarëve shpesh kërcënohet nga veprimtari dhe objekte të ndryshme shtetërore apo private që përbëjnë burim rreziku të shtuar, ka nisur një proces shqyrtimi për këtë çështje. Sipas Dobjanit, disa nga objektet që përbëjnë rrezik janë depot, tunelet, lëndët plasëse, lëndët kimike, helmuese dhe toksike, magazinat e municioneve, e predhave dhe armatimit, ambientet e ish-reparteve ushtarake, uzina e ndërmarrje ushtarake, reparte ose poligone demontimesh për predha dhe municione, të cilat janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. Nga përgjigjet që kanë ardhur deri tani nga titullarët e njësive të qeverisjes vendore (bashki apo komuna), rezultojnë se në afërsi të 25 qendrave të banuara apo akseve rrugore ka objekte ushtarake që potencialisht mbartin rrezik për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve, lista e të cilave i bashkëngjitet këtij rekomandimi.
Rekomandimi
Sipas Dobjanit, duke marrë shkas nga ngjarja e Gërdecit dalin detyra për rritjen e shkallës së përgjegjësisë së strukturave përkatëse të ushtrisë dhe të bashkëpunimit të tyre me organet vendore dhe qendrore të administratës publike, për marrjen e masave për rritjen e shkallës së sigurisë së tyre, duke filluar nga ruajtja me personel rojesh te instruktuar, me rrethimin e territoreve të rrezikshme, me grumbullimin dhe spostimin nga qendrat e banuara, nga akset rrugore apo objektet e rëndësishme shtetërore, ekonomike e publike për në vende më të sigurta. Për vendosjen e tabelave për ndalim kalimi dhe paralajmërim rreziku, për pajisjen me mjetet me te domosdoshme për mbrojtjen nga zjarri, me afishimin të detyrave konkrete dhe specifike për çdo rast dhe çdo objekt dhe masa të tjera që komandat përkatëse ushtarake të të gjitha niveleve mendojnë se duhen marrë, përfshirë edhe ndëshkimin disiplinor dhe ligjor të subjekteve të papërgjegjshëm. “Rekomandojmë marrjen e masave të menjëhershme organizative-teknike për verifikimin apo riverifikimin e gjendjes faktike në të gjitha objektet ushtarake me burim rreziku të shtuar, nëse janë në përputhje me kërkesat e akteve ligjore dhe ato nënligjore që kanë të bëjnë me ruajtjen; mirëmbajtjen; sigurinë; transportin; demontimin dhe shkatërrimin në poligone, uzina e ndërrmarje; shërbimin teknik periodik; rregullat e hyrjes në to të materialeve dhe njerëzve; mbrojtjen nga zjarri, nga agjentet atmosferike dhe përmbytjet; si dhe marrjen e masave të rrepta disiplinore dhe penale ndaj kujtdo që me veprime apo mosveprime ka cenuar ose cenon sigurinë e këtyre objekteve.
11 Qershor 2008