E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Minibashkitë në garë për fondet

Kreu i Bashkisë së Tiranës konsulton buxhetin me banorët e minibashkisë Nr.1, duke iu prezantuar projektet për vitin 2012

Njësitë bashkiake që do të ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin, do të përfitojnë

më shumë fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Kështu ka deklaruar dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë konsultimit të projektbuxhetit 2012 me banorë të njësisë bashkiake Nr.1. Basha bëri të ditura projektet që do të mbështeten nga buxheti i vitit 2012, për këtë minibashki, ku ndër të tjera përfshihet sistemi i shtratit të Lanës, ndërtimi i Urës së Shkozës, ndërtimi i një shkolle dhe një çerdheje. “Do të kemi vazhdimin e sistemimit të shtratit të Lanës dhe sistemimin e rrugëve paralele, deri te ura e Shkozës. Ndërtimi i urës së Shkozës, i cili është një premtim i imi, rikonstruksioni i rrugës ‘Agusht Jorgjevica’, po kështu në zonën e Shkozës, rikonstruksioni i rrugës ‘Pasko Hysa’, vazhdimin e rrugës ‘Hasan Sufa’ deri tek Materniteti i Ri. Në fushën e arsimit dhe kujdesit social janë përfshirë dy objekte, ndërtimi i shkollës 9-vjeçare, në rrugën ‘Ali Demi’ dhe çerdhja Nr.50, në rrugën ‘Shemsi Aga’”, - deklaroi Basha gjatë takimit me banorët. Kryetarja e njësisë bashkiake Nr.1, Lindita Nikolla kërkoi mbështetjen e kreut të Bashkisë për ndërtimin e një qendre komunitare në këtë minibashki, propozim i cili gjeti mbështetjen e Bashës. “Do të doja të kisha bashkëpunimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës dhe tuajin personalisht, për të ngritur një qendër komunitare për të rinjtë dhe dëshira ime është ta quajmë Qendra e Transparencës Komunitare”, - tha Nikolla. Në këtë takim, Basha bëri të ditur se në buxhetin 2012 do të hapet modeli i garës për fonde bashkiake, ku do të përfitojnë ato njësi që do të ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin. “Në këtë buxhet do të nisim modelin e garës, për fonde bashkiake dhe do ta përforcojmë gjatë vitit dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që minibashkia ku territori mbahet më pastër, atje ku klima ndihet më miqësore ndaj qytetarit dhe biznesit, minibashkia që bën më shumë për rininë, që nga fëmijët e vegjël dhe rinia parauniversitare, do të stimulohet me fonde dhe projekte nga Bashkia e Tiranës. Me këtë dua të them, që do të shkojmë një hap më tej për kërkesën që parashtruat dhe jo vetëm që do ta mbështesim këtë që po bëni, por do ta nxisim këtë në të gjithë territorin e Tiranës”, - u shpreh kreu i Bashkisë.

Gjatë ditës së djeshme, kryebashkiaku ishte në kopshtin Nr.3 pranë njësisë bashkiake Nr. 9, ku ai shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët e pranishëm. Basha uroi vogëlushët për festat e fundvitit, ndërsa premtoi se të gjithë fëmijët në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit do të marrin dhurata simbolike nga Bashkia e Tiranës me ndihmën e sektorit privat. Ai bëri të ditur se janë mbi 8 mijë dhurata që do të shpërndahen në ditët e ardhshme anembanë në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, ndërkohë që do të bëhet një përpjekje për të dhënë dhurata edhe në arsimin fillor, nga klasa e parë deri në të katërtën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›