Part-time, shtohen 181 kuota të reja pranimi
Shtohen 181 kuota të reja pranimi për studimet me kohë të pjesshme në universitetet publike të vendit. Pavarësisht kërkesave të bëra nga universitetet për më shumë pranime në këtë sistem, rreth 500 kuota, me propozim të Ministrisë së Arsimit, qeveria ka miratuar më pak. Kështu, sipas vendimit të marrë dje nga Këshilli i Ministrave, kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2011-2012, do të jenë 9531 nga 9350 që ishin më parë. Më konkretisht, janë shtuar vetëm 80 kuota në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, që arrijnë në 8650 pranime, si dhe 100 për transferim studimesh, duke e çuar në 200 numrin total për të gjitha universitetet. Po kështu është shtuar edhe një kuotë pranimi për të përndjekurit politikë, ndërsa për programet e tjera shifrat kanë mbetur të pandryshuara. Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 4:1, përkatësisht 80% e tyre, për pranimet e reja në programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 20% për pranimet e reja në programe të dyta studimi.”.