E Diel, 1 Nëntor 2026

Popullsia tkurret me 7.7%, më shumë se gjysma banojnë në qytet

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-12-2011 12:45

Popullsia tkurret me 7.7%, më shumë se gjysma banojnë në qytet

INSTAT publikon rezultatet paraprake të regjistrimit. Popullsia është 2 831 741 banorë, në 10 vjet u zvogëlua me 7.7 %. Mbi 29 mijë persona refuzojnë procesin, asnjë e dhënë për etninë dhe fenë

Popullsia shqiptare është pakësuar në mënyrë të ndjeshme në 10-vjeçarin e fundit. Kjo është një nga të dhënat më të rëndësishme që ka dalë nga rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë, që janë shpallur dje nga Instituti i Statistikës. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nuraj, prezantoi për publikun rezultatet paraprake të censusit të popullsisë dhe banesave 2011. Bazuar në të dhënat paraprake të censusit 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2 831 741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga censusi i vitit 2001 ishte 3 069 275. Nga të dhënat vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. “Krahasuar me popullsinë në vitin 2001, ajo është 7.7 % më e vogël dhe shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë supozohet se janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë”, - deklaroi Nurja. Vlerësimi paraprak i numrit të personave që kanë refuzuar në këtë census është 29 355 (1.04 %). Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, që datojnë që në vitin 1923, popullsia e cila jeton në zonat urbane, është më e madhe se ajo në zonat rurale. Sipas të dhënave paraprake të këtij censusi, rezulton se 53.7 % jetojnë në zonat urbane dhe 46.3 % në zonat rurale. Ndërkohë që numri total i banesave në Shqipëri në vitin 2011 është 1 075 881 nga 785 515 që ishte në censusin e kaluar. Pra, që nga viti 2001 e deri më sot kemi një rritje të numrit të banesave me 37 %. Po kështu, në rritje ka ardhur edhe numri i ndërtesave, që sipas rezultateve paraprake shkon në 34.0%. Aktualisht, në vend numërohen 686 405, nga 512 387 që ishin në vitin 2001. Gjithashtu, në censusin 2011 janë numëruar 740 256 njësi ekonomike familjare (Nj.E.F), ndërkohë që në vitin 2001 kjo shifër ka qenë 726 895. Njësi ekonomike familjare i referohet një grupi personash, të cilët banojnë së bashku në një banesë dhe ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët. Për vitin 2001, numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8, ndërkohë që në vitin 2001 ky tregues ishte 4.2. Sipas rezultateve, numri mesatar i pjesëtarëve për Nj.E.F në zonat urbane është 3.6 nga 3.9 që ishte në vitin 2001. Nga ana tjetër, në zonat rurale ky tregues është 4.1 nga 4.5 që ishte në vitin 2001.

Lidhur me raportin meshkuj-femra në vend, sipas të dhënave paraprake të censusit 2011, rezulton se popullsia rezidente është e përbërë nga 1 421 810 meshkuj (50.2%) dhe 1 409 931 femra (49.8%). Ndërsa për sa i përket të dhënave për minoritetet dhe fenë, pikat më të nxehta të këtij procesi, INSTAT-i nuk publikoi shifra, duke i lënë ato për një periudhë të mëvonshme. Pas publikimit të të dhënave paraprake të censusit, ka reaguar Aleanca Kuq e Zi, duke deklaruar se INSTAT-i përmbushi dëshirën e Athinës dhe Beogradit, të cilët dëshironin të nxirrnin shifra të vogla të numrit të shqiptarëve. Aleanca Kuq e Zi thekson se INSTAT-i me shifrat e tij e ka nxjerrë popullsinë më të voglën në Ballkan, ndërkohë që realiteti sipas AK-së, tregon se kombi shqiptar llogaritet mbi 10 milionë banorë. Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll më 1 nëntor. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata, si dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

Berisha: Procesi fakton kombin urban

“Regjistrimi dëshmon se në 10 vjet, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në të gjitha kohërat”

Kryeministri Berisha e nisi mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, duke folur për rezultatet paraprake të censusit, ndërsa i ka vlerësuar ato si zhvillimi aktual më i rëndësishëm. Kryeministri e cilësoi këtë proces regjistrimi, si të parin të realizuar në liri dhe në kushtet më optimale, se të gjitha proceset e tjera të regjistrimit, të realizuara në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, të dhënat paraprake të censusit kanë një tregues jashtëzakonisht pozitiv, pasi për herë të parë në Shqipëri, popullata e qyteteve dominion mbi zonat rurale. “U gëzova shumë kur pashë rezultatet e këtij regjistrimi, i cili dëshmon se aktualisht 53.7 % e shqiptarëve jetojnë në zona urbane, 46. 3 % e tyre jetojnë në zona rurale. Këtu marrin një përgjigje të gjithë ata, të cilët kanë qenë agresivë në qëndrimet e tyre ndaj lëvizjes së lirë dhe procesit të urbanizimit të kombit. Ky është procesi më i shpejtë që një komb mund të ketë pasur ndonjëherë. Unë po ju jap vetëm një të dhënë, në vitin ’79, në qytet jetonin gjithsej 800 mijë shqiptarë dhe rreth më shumë se dyfishi i tyre jetonte në fshat. Në vitin ‘89 në qytet jetonin sërish rreth mbi 1 milion qytetarë shqiptarë, më pak se në fshat. Në vitin 2001, përsëri së paku 25 % e shqiptarëve ishin më shumë në fshat. Këtë 10-vjeçar ka ndodhur kapërcimi i madh”, - tha kryeministri. Sipas kreut të qeverisë, ky proces shndërrimi madhor ka sjellë dy- apo trefishimin e qyteteve të mëdha. Bashkia e Kamzës sipas këtij censusi renditet e gjashta në Shqipëri për frymë popullate. Para saj janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani. Më tej, duke folur për ndërtimet, kryeministri Berisha vuri në dukje, se regjistrimi ka një tregues tjetër shumë të rëndësishëm dhe shumë të veçantë, i cili është rritja e sipërfaqeve të ndërtuara këta 10 vjet. “Në 10 vjet, dëshmon regjistrimi, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në të gjitha kohërat. Pra, një rritje e sipërfaqes së ndërtimit në 10 vjet me 38 %, krahasuar me sipërfaqen e ndërtimit të të gjitha kohërave është e jashtëzakonshme”, - tha kryeministri. Lidhur me ritmet e shtimit të popullatës, ku është konstatuar një tendencë në rënie, kryeministri ka bërë të ditur se në çdo moment kërcënimi qeveria do të jetë e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike në interes kombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›