E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeleshi dorëhiqet nga mbrojtja e Dajtit

AVOKATI
I akuzuari: Nuk vij dot në proces sepse jam në gjendje të rëndë shëndetësore. Jam i lidhur 24 orë me zinxhirë

TIRANË- Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Dritan Dajti, avokat Arben Qeleshi heq dorë nga mbrojtja e të akuzuarit për vrasjen e katër policëve dhe "shokut" të tij pasditen e 7 gushtit 2009 në afërsi të plazhit të Durrësit.


Ka qenë vetë mbrojtësi i të pandehurit Dajti, që me fillimin e seancës gjyqësore ka njoftuar togat e zeza se që nga dita e djeshme nuk është më mbrojtësi i të pandehurit, pasi ka heq dorë për mbrojtjen e interesave të tij ligjor, duke konfirmuar gjithashtu se për këtë vendim ka njoftuar edhe familjarët e të akuzuarit për "vrasje" të pesëfishtë.


Pas fjalës së avokatit Qeleshi, togat e zeza kanë lexuar deklaratën e të pandehurit Dajti, i cili edhe këtë radhë nuk ka preferuar të paraqitet para Gjykatës së Krimeve të Rënda duke theksuar se shkak për mos paraqitje është gjendja jo e mirë shëndetësore.


"Nuk jam në gjendje të vij në Gjykatë pasi nuk mund të lëvizë. Gjendjen shëndetësore nuk e kam të mirë, pasi jam paralizuar. Dhe nuk e kuptoj dhe nuk më jep njeri përgjigje në Qendrën Spitalore të Burgut pse mbahem 24 orë i lidhur me zinxhir për krevati"-ankohet Dajti në deklaratën e tij dërguar togave të zeza. Ndërkohë, mjeku i këtij Spitali konfirmon se "Dajti mund të paraqitet në Gjykatë me ndihmën e barelës ose karrocës me rrota.


Gjendja e tij është e stabilizuar dhe ndodhet nën mjekim të vazhdueshëm"-thuhet në fund të deklaratës së Dajtit të firmosur nga ky i fundit për mos paraqitjen në gjykatë. Pas këtyre pretendimeve, prokurorët e çështjes i kërkuan togave të zeza të deklarojnë mungesën e të pandehurit Dajti dhe të vazhdojnë gjyqin në prani të avokatit mbrojtës.


Por, gjykata pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit vendosi që të pandehurit Dritan Dajti t'i caktohet një avokate kryesisht, konkretisht mbrojtësja Valentina Teodoreski dhe të ndërpresë seancën gjyqësorë për të vazhduar të mërkurën e ardhshme në ora 9:30, kohë kjo e mjaftueshme edhe për mbrojtësen ligjore për tu njohur me aktet e hetimit.


Ndërkohë, në seancën e djeshme edhe dy të pandehurit e tjerë Ergest Xhoxhi dhe ish-efektivin policisë Mariglen Muça nuk kanë preferuar të vijnë, duke kërkuar përfaqësimin e tyre nga avokatët e zgjedhur nga ata. Sipas prokurorisë, Dajti akuzohet për vrasjen e pesëfishtë të ndodhur më 7 maj 2009 në bashkëpunim me kunatin e tij Ergest Xhoxhi dhe ish-efektivin e policisë Mariglen Muça që dyshohet se e ka ndihmuar të pandehurin Dajti për tu fshehur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›