E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllohet me armë banesa, një në pranga

LEZHË – Qëllohet me armë zjarri banesa e një shtetasi gjatë natës, ndërsa policia pas një arrestimi të kryer deklaron se ende nuk e di nëse ka prangosur autorin e ngjarjes. Gjithçka ka filluar ditën e shtunë rreth orës 13:00, kur uniformat blu janë njoftuar se banesa e shtetasit Kujtim Kolthi, banues në fshatin Spiten është qëlluar me armë zjarri. Mbërritja në vendngjarje e forcave të policisë dhe grupit hetimor ka bërë që të merren në pyetje persona të ndryshëm rreth ngjarjes, por që nuk kanë identifikuar autor përgjegjës. Fatmirësisht, bëhet e ditur se në momentin e goditjes me armë, në banesën e 27-vjeçarit nuk ka pasur njeri, por si pasojë kanë mbetur të thyer xhamat e dritareve të shtëpisë, si dhe dëmtime në mure. Një fakt i tillë ka bërë që policia të ushtrojë kontroll në banesa të ndryshme të fshatit, duke sekuestruar në shtëpinë e Ardian Palajt një armë zjarri të tipit “Zastava” me një krehër me 7 fishekë, si dhe një kuti ambalazhi me 12 copë fishekë të po kësaj marke. Nga blutë u bë arrestimi i 40-vjeçarit Palaj, ndërkohë që ai do të akuzohet për “armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, pasi saktësojnë se banesa e Kolthit është qëlluar “me armë automatike”, burimet zyrtare të policisë shprehen se po punojnë për të verifikuar përfshirjen e 40-vjeçarit në ngjarjen e ndodhur në banesën e 23-vjeçarit Kujtim Kolthi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›