E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllohet me armë furgoni, plagosen rëndë pasagjeret

 

BURREL/ HASAN PASHA

Qëllohet me bresh-ëri automatiku mbi furgonin e linjës Burrel-Shëlli. Pesë plumba kanë përshkruar mjetin, duke lënë të plagosura dy udhëtaret e vetme. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:30 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Burgajet të komunës Lis, në vendin e quajtur “Reparti ushtarak”. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër sqaruan për gazetën “Panorama”, se shoferi Gëzim Mata, me mjetin e tij privat tip furgon, kryente transportin e udhëtarëve në linjën Burrel-Shëlli dhe anasjelltas. Të enjten në të gdhirë ai është nisur nga Burreli në drejtim të fshatit të lindjes. Pas afro 20 minutash, teksa ngjitej në maloren e fshatit Burgajet është shtangur kur mbi mjetin e tij është derdhur një breshëri plumbash. Është ndalur dhe pas pak sekondash ka parë se dy pasagjeret, njerëz të afërm të tij, ishin shtrirë mbi sedilje të plagosura. Drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të dallojë autorin që qëlloi mbi furgon, por është kthyer menjëherë në drejtim të Burrelit, duke dërguar në urgjencën e spitalit dy gratë e plagosura. Plumbat e automatikut kanë plagosur në nofull 55-vjeçaren Zahide Mata dhe në këmbë e bark Ensuida Matën, 20 vjeçe. Kirurgët e Burrelit kanë dhënë ndihmën e shpejtë për të dyja pacientet, por duke parë se gjendja e 55-vjeçares ishte më problematike dhe kërkonte një shërbim më të specializuar, kanë kërkuar ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë që ajo të dërgohej në Tiranë, në Spitalin Ushtarak. Rreth orës 07:15 helikopteri ka zbritur në stadiumin “Liri Ballabani” të Burrelit dhe ka kryer transportimin e Zahide Metës, ndërkohë është kryer ndërhyrja kirurgjikale ndaj Ensuida Metës në spitalin lokal të Burrelit, nga mjekët e këtij spitali.
Burime pranë grupit hetimor të ngritur enkas për ngjarjen në fjalë sqarojnë se drejtuesi i furgonit Gëzim Mata, 40 vjeç, kryente prej vitesh transportin e bashkëfshatarëve të tij nga Shëlliu në drejtim të Burrelit ose anasjellas. Kështu ka ndodhur dhe me dy pasagjere Mata, nënë e bijë. Pas afro 20 minutash mbi pjesën e përparme të mjetit janë derdhur breshëri plumbash. Policia tha dje pasdite se ende nuk dihet autori i ngjarjes së rëndë dhe as motivet e saj. “Nuk kemi ende të dhëna të sakta për autorin e ngjarjes kriminale dhe as për autorin, - thanë zyrtarë të policisë së Burrelit. - Nga hetimet paraprake autori ka qenë një person i armatosur me kallashnikov, i cili qëndronte i fshehur në një ferrë, në anë të rrugës lapidari i Zenishtit-Burgajet. Nuk kemi të bëjmë me maska për grabitje, por është synuar vrasja e personave që ndodheshin në furgon”. Policia konfirmon se Mata nuk ka pasur konflikte të mëparshme, ndërsa ka hedhur dhe pistën e një ngjarje për motive të konkurrencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›