Bernanke, viktimë e vjedhjes së identitetit bankar
Presidenti i Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Ben Bernanke, ka pasur një surprizë të keqe në llogarinë e tij të rrjedhshme. Numri një i Federalëve për bankat, është bërë viktimë e vjedhjes së identitetit bankar. Sipas të përjavshmes “Newsweek”, mashtrimi ka ndodhur në verën e vitit 2008, kur gruas së Bernankes iu vodh çanta në të cilën ndodhej një bllok çeqesh të llogarisë së çiftit. Nuk është e qartë se sa para u janë vjedhur çiftit Bernanke. E përjavshmja shkruan se, “pak ditë pas vjedhjes, dikush ka nisur të japë çeqe nga llogaria e Bernankeve”. Gazeta në fakt nuk e detajon shifrën se sa mund t’i jetë vjedhur numrit një të bankave në Shtetet e Bashkuara nga kjo pakujdesi e së shoqes, por bën një përmbledhje se pas zbulimit të skandalit të vjedhjeve të mbi 130 milionë llogarive bankare në Shtetet e Bashkuara, organizatorët e këtij mashtrimi kanë arritur të marrin mbi 2.1 milionë dollarë nga njerëz të zakonshëm, që as nuk dyshonin mbi ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në llogaritë e tyre dhe nga dhjetë institucione financiare në këtë vend.