Qëllohet me armë kongresmenia Gifford

Kongresistja demokrate e Arizonës Gabrielë Giffords është në gjendje kritike pasi u godit në kokë gjatë të shtënave dje në një aktivitet të saj me elektoratin. Një fëmijë ishte mes të vrarëve në sulmin e kryer në Tuson të Arizonës. Autoritetet thonë se disa persona të tjerë u vranë dhe rreth dhjetë të tjerë u plagosën, ndërsa personi që hapi zjarr është nën arrest.
Zyrtari i qendrës mjekësore të Universitetin të Arizonës, Pitër Ri, tha se kongresistja Giffords ishte në gjendje kritike pas ndërhyrjes kirurgjike. Ri tha se Giffords ishte qëlluar në kokë, por ai ishte optimist se ajo do të shpëtonte.
"Nuk mund të them se si do të shkojë gjendja e saj, por jam mjaft optimist megjithë rrethanat e gjendjes”.
Presidenti Barack Obama lëshoi një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, në të cilën thotë se të shtënat ishin një akt i pakuptimtë dhe i tmerrshëm dhune që nuk ka vend në një shoqëri të lirë. Edhe Kryetari i Bashkisë së Tusonit, Bob Uokap, shprehu shqetësimin e tij.
"Kjo është një tragjedi e rëndë për shtetin e Arizonës dhe për vendin. Mendoj se është koha që të gjithë ne të mendojmë dhe të lutemi për viktimat e kësaj tragjedie që ndodhi para syve tonë”.
Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-it, shkuan me nxitim në vendin e ngjarjes, pranë një dyqani ushqimor Safeway, ku kongresistja Giffords po zhvillonte një aktivitet me elektoratin e saj.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thonë se personi i armatosur hapi zjarr me një breshëri prej 15-20 të shtënash, para se të përpiqej të largohej. Por dëshmitarët thonë se ai u bllokua nga një kalimtar i rastit dhe u vu nën arrest.
Kongresistja 40 vjeçare u rizgjodh për të tretën herë në muajin nëntor. Giffords ishte një prej politikanëve të Arizonës, zyrat e të cilëve ishin vënë në shënjestër nga vandalët dhe ishin kërcënuar gjatë debatit për reformën e kujdesit shëndetësor në vitin 2009.
Ligjvënësit republikanë, të cilët fituan shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë thirrje për prapësimin e reformës së kujdesit shëndetësor, të nënshkruar në ligj nga Presidenti Barack Obama vitin e kaluar.
Giffords ishte gjithashtu një nga ligjvënësit që ishte vënë në shënjestër pasi mbështeti reformën, në një hartë me objektiva qitjeje në një faqe interneti të komitet të veprimit politik që mbështet ish kandidaten republikane për postin e nënpresidentit, Sarah Palin.
Një debat i nxehtë politik në Arizona, shtet që ndodhet në kufi me Meksikën, është zhvilluar kohët e fundit rreth përpjekjeve për të luftuar imigracionin e paligjshëm. /voa/