Si u zbulua arsenali i armëve para pazarit të trafikantëve
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimin dhe dërgon në gjykatë dosjen penale të trafikimit të një arsenali armësh, municionesh e granatash të bllokuara në Shkozet në qershor 2008. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave i pandehur në gjykatë, është dërguar i dyshuari Fatmir Ramaj, për akuzat “trafikim të armëve dhe municionit në formën e importimit” dhe “mbajtje pa leje të armëve, bombave dhe municionit luftarak”. Në dosjen e dorëzuar në gjykatë nga Prokuroria, thuhet se ndërhyrja për arrestimin e 40-vjeçarit Fatmir Ramaj u realizua më 4 qershor 2008 në momentet e fundit kur ai po përgatitej të takohej me personat, që kishin porositur armët dhe kërkonin t’i blinin ato. Pas informacionit të marrë në rrugë operative për veprimet që po kryente i dyshuari, agjentët e policisë së Durrësit, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë ndërhyrë duke arrestuar 40-vjeçarin Fatmir Ramaj dhe duke bllokuar arsenalin me tri pistoleta “Bereta”, kalibër 7.65 mm, pesë pistoleta jugosllave “Zastava”, kalibër 6.35 mm, tre granata defensive, një automatik “model 56”, kalibër 7.62 mm, 90 fishekë pistolete, 260 fishekë kallashnikovi si dhe katër krehra me municion për një pushkë 20-she, automatike. Pothuajse në të njëjtën kohë me zhvillimin e operacionit “Shkozeti” në lagjen 114 në Durrës, në bazë të informatave operative, policia zhvilloi disa kontrolle në Mamurras, tek banesat e personave të lidhur me Fatmir Ramajn, ku u gjet dhe u bllokua edhe një arsenal i dytë prej 20 pushkësh automatike. Ato u gjetën në banesën e shtetasit F.G., i cili sipas përgjimeve ka pasur fluks telefonatash me të arrestuarin tjetër Fatmir Ramaj.
Importimi nga Kosova
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar, se arsenali i armëve të bllokuara në Shkozet gjatë operacionit me të njëjtin emër, ishte importuar nga Kosova pak ditë para 4 qershorit 2008. Në këtë kohë, Fatmir Ramaj, i cili hetohej për trafik armësh nga kufiri verilindor i vendit, ka marrë një porosi nga persona të interesuar për blerje armësh të reja me municionet përkatëse. Policia dhe Prokuroria kanë kontrolluar të gjitha veprimet, që Fatmir Ramaj ka bërë më pas. Në këtë mënyrë, ai ka hyrë në kontakt me disa persona me qëndrim në Kosovë të cilëve u ka kërkuar sasinë e armëve dhe municioneve për të cilat ishte porositur. Ngarkesa ka kaluar kufirin dhe pasi ka hyrë në Shqipëri, policia ka ndjekur situatën, duke mbajtur në vëzhgim dhe duke përgjuar veprimet e Fatmir Ramajt. Një pjesë e armëve, porosi më vete, janë lënë në Mamurras, ndërsa arsenali tjetër është transportuar në Durrës dhe është vendosur në banesën e marrë me qira pikërisht për këtë aktivitet. Përmes përgjimeve telefonike agjentët e antitrafikëve dhe krimit të organizuar, morën informacion për kohën dhe vendin e takimit të 40-vjeçarit me blerësit e arsenalit të armëve. Në momentet e fundit, kur po përgatitej lëvizja e ngarkesës policia ndërhyri, duke arrestuar të akuzuarin për trafik, si dhe duke bllokuar armët e municionet e grumbulluara në Durrës dhe në Mamurras. Sipas hetimeve, armët ishin fringo të reja dhe po shiteshin për qëllime kriminale, pasi në momentin e bllokimit ato ishin të mbushura me municionet përkatëse. Të gjitha provat e grumbulluara u administruan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila vazhdoi hetimet për këtë çështje për gjashtë muaj, ndërsa ditët e fundit ka dorëzuar fashikullin për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Armët e bllokuara nga “Shkozeti”
Në operacionin e koduar me emrin “Shkozeti”, policia arrestoi të dyshuarin Fatmir Ramaj dhe bllokoi: tri pistoleta “Bereta” e kalibrit 7.65 mm, të nikeluara, tre krehra me nga 5 fishekë secili, 5 pistoleta “Zastava” e kalibrit 6.35 mm, 5 krehra me nga 4 fishekë secili, 1 automatik model 56, Kallashnikov, krehra me nga 30 fishekë secili, 260 copë fishekë model 56, 3 granata defensive, 4 krehra pushke model 56 me nga 10 fishekë secili, 1 pushkë 20-she model 56 dhe një krehër me 20 fishekë.