E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi me armën pa leje në mes të qytetit, vetëdorëzohet



DURRËS – Një 37-vjeçar, teksa udhëtonte me mjetin e tij në mes të qytetit, ka qëlluar me armë zjarri në mes të qytetit të Durrësit dhe vetëm pasi është shpallur në kërkim nga policia, është vetëdorëzuar në komisariat. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Artor Tirjaku, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 2 të qytetit bregdetar. Prangosja e tij u bë për arsye se rreth orës 15:30 të po kësaj date, Tirjaku, në kohën kur lëvizte me automjetin e tij tip “Ford”, me targa AF 864 FX, ka qëlluar disa herë në ajër me një armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia nisi verifikimet dhe bëri identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe nisi kërkimin e tij. Sipas burimeve zyrtare, disa orë më pas Tirjaku u vetëdorëzua në polici së bashku me armën e zjarrit, një pistoletë model 54 me 5 fishekë, të cilat ky shtetas e mbante pa leje.

Prangoset për dëshmi të rreme në vjedhjen e 2.5 milionë lekëve

DURRËS – Një 42-vjeçar ka bërë dëshmi të rreme në sallën e gjyqit për një vjedhje të ndodhur në mjediset e një kompanie ndërtimi, por pas disa orësh ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:30, u bë arrestimi i shtetasit Zija Lusha, lindur dhe banues në fshatin Luz i Vogël në rrethin e Kavajës. Prangosja e 42-vjeçarit u bë për arsye se po atë ditë, në seancën gjyqësore të zhvilluar lidhur me çështjen e të pandehurit E.K. (i cili është arrestuar më datë 26 shtator të këtij viti për vjedhjen e 2.500.000 lekëve në mjediset e firmës “T....” në Lagjen Nr. 18 të qytetit bregdetar), ka ndryshuar dëshminë e tij para trupit gjykues. Burimet zyrtare pohojnë se ai ka konsumuar veprën penale të dëshmisë së rreme.

Harta e çmimit të tokave në Fier, drejt përfundimit

FIER - Zyra e Regjistrimit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun e Fierit është në hapat e fundit të përpunimit të të dhënave të hartës së vlerës së tokës. "Tashmë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të qarkut kanë dërguar pranë kësaj agjencie formularët e plotësuar, me të gjithë informacionin e kërkuar për vlerën e tokës", i tha dje Drejtoresha e Zyrës Rajonale të kësaj agjencie, Vasilika Hysi. “Gjithë territori administrativ i Qarkut të Fierit, si tokat bujqësore (arë), kullotat, trojet dhe pyjet, e kanë të përcaktuar vlerën financiare për metër katror. Kjo vlerë do të shërbejë si pikë referimi për shpejtimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve”, - theksoi Hysi. Ajo sqaroi se ka përfunduar grumbullimi i të dhënave për hartën e vlerës dhe se përpunimi i tyre është afër fundit. Sipas saj, kjo do të shënojë dhe fillimin e kompensimit të ish-pronarëve. Fieri, vërejti ajo, "është katerigorizuar nga Qeveria ndër qarqet më prioritare në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave". “Tani situata është e zhbllokuar dhe janë krijuar kushtet për shpejtimin e këtij procesi të vonuar”, - tha Hysi. Sipas saj, ky vendim do të fillojë të zbatohet brenda këtij viti për të gjithë ish-pronarët të cilëve u është njohur vendimi i pronësisë, qoftë për kthimin fizik apo dhe në vlerë monetare. Nga 3 770 dosje të depozituara që presin njohjen e pronësisë pranë kësaj agjencie, rreth 60 për qind kanë marrë përgjigje pozitive.

Bllokimi i legalizimit, banorët e zonës së ish-Divizionit protestojnë

SHKODËR – Mospërfshirja në procesin e legalizimit e dhjetëra familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në zonën e ish-Divizionit Ushtarak në rrethin e Shkodrës ka çuar në protestë rreth 150 persona. Burimet zyrtare pohojnë se tubimi u zhvillua në qytetin verior nga ora 9-10-30 të ditës së djeshme. Familjet që kërkojnë ligjërimin e pronave dhe shtëpive të tyre kanë parakaluar nga rruga “Nënë Tereza”, në lagjen “Skënderbeg” dhe deri te Bashkia e Prefektura. Kjo protestë ka pasur për qëllim kundërshtimin e qëndrimit të Bashkisë për të mos legalizuar banesat e këtyre banorëve. Burimet policore sqarojnë se protesta e organizuar sipas ligjit përfundoi me shpërndarjen këtyre banorëve në mënyrë paqësore dhe brenda çdo norme, duke mos shënuar asnjë incident.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›