E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, përfituesit marrin para vetëm për 200 m2



Gjithë trajektorja për përfitimin e të ardhurave nga kompensimi i pronës është detajuar në vendimin e pak javëve më parë të Këshillit të Ministrave. Në vendimin e qeverisë parashikohet që të përfitojnë për vitin 2008 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Në procesverbal përcaktohet vendndodhja në hartë e pronës dhe përcaktohet bashkë me pronarin 200 metër katror e kësaj prone për të cilën ky pronar do të marrë kompensim financiar dhe ish-pronari nënshkruan për pjesën e tokës që do të kompensohet. Më pas llogaritet vlera e sipërfaqes që kompensohet dhe përgatitet një relacion shpjegues. Më pas i gjithë ky material shqyrtohet nga Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër, e cila përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës dhe nxjerr vendimin për kompensim ose jo të subjektit të shpronësuar. Zyra Qendrore e Agjencisë së Pronave në përfundim i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore dhe shpall listën e subjekteve fituese. Në përfundim AKKP kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit.
Procedurat
Sipas vendimit të qeverisë, ish-pronarët, të cilët kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Ndërsa ish-pronarët, të cilët nuk kanë dorëzuar asnjë kërkesë, duhet të plotësojnë dhe të paraqesin pranë zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër kërkesën për kompensim financiar që do ta tërheqin pranë AKKP-së. Gjithashtu duhet të dorëzojnë deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me planvendosjen përkatëse. Ish-pronarët duhet të dorëzojnë dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Në këtë rast është e nevojshme që të jetë e përcaktuar dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të individit prona e të cilit është shpronësuar. Bashkë me këto dokumente është e nevojshme paraqitja edhe e një fotokopjeje të noterizuar të pasaportës, certifikatës së lindjes ose letërnjoftimit të personit, që ka prokurën e përfaqësimit, si dhe mandatpagesën.
Të dhënat
Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale. Procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon 30 ditë. Pas marrjes së dosjes me dokumentacionin e mësipërm, zyra e Agjencisë së Pronave në Qendër bashkëpunon me zyrat rajonale të saj në rreth për të verifikuar dosjen e dorëzuar nga ish-pronari. Më tej, zyra rajonale e pronave verifikon dosjen dhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar.
Kjo zyrë ka të drejtë të kërkojë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që, brenda 10 ditëve, të konfirmojnë të dhënat për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit. Po kështu verifikohet dhe ndryshimi i gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës. Verifikohet regjistrimi dhe ushtrimi i së drejtës së parablerjes. Verifikohen në database të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të tij. Kryhet verifikimi në terren i gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës.

Dokumentacioni që duhet të paraqesin ish-pronarët

Kërkesën për kompensim financiar.
Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës së Këshillit të Ministrave.
Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen përkatëse.
Dëshminë e trashëgimisë.
Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar.
Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatën e lindjes së personit, që ka prokurën e përfaqësimit.
Mandatpagesën.

AKKP-ja ka në proces hartimin e dosjeve

AKKP-ja ka vendosur të mos humbasë asnjë ditë kohë, duke zyrtarizuar fillimin e procedurave për regjistrimin e pronarëve të interesuar, që dëshirojnë të përfitojnë kompensimin financiar me fondin e akorduar për këtë vit. AKKP-ja po ndjek me përpikmëri kriteret e përcaktuara në vendim, gjatë pranimit të kërkesave të ish-pronarëve që kërkojnë kompensimin financiar. Më të favorizuar për të përfituar nga ndarja e 2.4 milionë dollarëve, për Tiranën, janë 76 ish-pronarët e kryeqytetit, të cilët vitin e kaluar mbetën jashtë shortit të ndarjes së fondit 2 milionë dollarësh, i organizuar nga ish-Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Zyrtarët e AKKP-së nuk përcaktuan se sa do të zgjasë koha e dorëzimit të dokumenteve nga subjektet e interesuara, por duket se gjithçka do të mbyllet në ditët e para të dhjetorit. Të favorizuar janë pronarët që kanë dorëzuar të parët kërkesën për kompensim financiar, por edhe që nuk kanë përfituar deri tani asnjë formë kompensimi, qoftë në lekë, qoftë në kthim apo kompensim fizik. Ish-pronarët e kryeqytetit dhe të Rrethit të Kavajës, që plotësojnë kriteret e miratuara nga qeveria për shpërndarjen e kompensimit financiar duhet të fillojnë të dorëzojnë dokumentet e duhura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Tarifat e shërbimeve që do të paguajnë subjektet e shpronësuara

1. Për hapje të dosjes së re 3.000 lekë
2. Për dosjet ekzistuese (plotësim dosjeje) 1.000 lekë
3. Për ankimim vendimi pranë KSHKK-së 2.000 lekë
4. Vërtetim 100 lekë
5. Kërkesa për lëshim kopjeje 100 lekë
6. Kërkesa për informacion për dosje 500 lekë

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›