E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllojnë me armë në gjendje të dehur, ndalohen 8 gardianë

08/07/2009  Ngjarja në Fushë-Krujë

FUSHE KRUJE- Tetë gardianë kanë shkaktuar panik ndër banorët e Fushë-Krujës, pasi kanë shkrehur në ajër armët e tyre në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në Fushë-Krujë, pranë Shkurajt, ndërsa të shtënat janë dëgjuar gjatë nga banorët, të cilët të alarmuar kanë lajmëruar policinë. Pas mbërritjes së efektivëve tetë gardianët janë shoqëruar në polici. Ata mësohet se janë ndalur në mes të rrugës pasi kishin konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe kanë shtënë me armë zjarri në ajër nga makinat me të cilat po udhëtonin. Lajmi konfirmohet nga policia e Kurbinit, sipas së cilës 8 gardianët në gjendje të dehur po kalonin me dy makina në rrugë. Krejt papritur ata kanë nisur të qëllojnë në ajër me armë, duke shkaktuar panik dhe frikë për banorët e zonës përreth, të cilët njoftuan menjëherë forcat e policisë. Këto të fundit pasi kanë mbërritur në vendngjarje kanë bërë të mundur kapjen e gardianëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur duke i shoqëruar drejt komisariatit të Kurbinit. Ata do të merren në pyetje dhe do t’ju komunikohet dhe akuza “për prishje të qetësisë dhe rendit publik”. Ngjarja ka tronditur mjaft dhe drejtues të policisë, të cilët në këtë sezon veror po mundohen të ruajnë rendin, i cili po trazohet mjaft dhe nga kolegë të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›