Ngacmuan një vajzë shqiptare, rrihen me shufra hekuri nga të afërmit e saj
Një të riu italian dhe miqve të tij u ka kushtuar rëndë ngacmimi i bërë ndaj një vajze shqiptare. Të afërmit e shqiptares e kanë sulmuar atë me shufra hekuri, duke i shkaktuar dëmtime serioze. Ngjarja ndodhi pasditen e ditës së shtunë në Napoli.
Policia italiane nisi menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje.
Sipas hetuesve, shkak i ngjarjes ishte një kompliment i tepërt nga ana e të rinjve ndaj vajzës, jashtë mureve të burgut të San Tammaro-s. I dëmtuari është 23-vjeçari Raffaele Di Caterino, nga Casal di Principe.
Ai ishte jashtë burgut, në pritje të xhaxhait të tij, i cili pritej të lirohej. Me të riun ishin edhe kushërinjtë e tij dhe të afërm të tjerë.
Në këtë kohë ka kaluar e reja shqiptare, ndaj të cilës kanë nisur komplimentet nga ana e 23-vjeçarit dhe ngacmimet e tjera.
Por, pa kaluar shumë minuta, ka ndaluar një furgon, nga ku kanë dalë tre shqiptarë. Ata kanë pasur në duar shufra hekuri e çekiçë dhe kanë sulmuar dhunshëm 23-vjeçarin dhe të afërmit e tij. I riu është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar policia e qytetit, e cila ka nisur hetimet për këtë sulm ndaj tre shqiptarëve të përfshirë.