E Diel, 1 Nëntor 2026

Qemal Kertusha: Incidenti me Byronë Politike në vitin 1966 te Vila e Zogut

TIRANE-Dashuria, shpirti po rrënohen mbi shinat e një jete moderne?! Jo, ka ende vullkane të ndezura, unike në dashje dhe timbrin e së bukurës ashtu si vetë bota. Thjesht nuk i vëmë re, thjesht i kalojmë te harresa. Kujtohemi për ta, i prekim, dridhemi nga e pastra e qenies atëherë kur "sosen" hapat. E themi: Ata ishin, ata janë… Dhe gërmojmë viteve. Shumë prej tyre ua skalitim tiparet, zërin, ecjen pasi kanë ikur.
...

Dekada më parë, Ajo ishte 15 vjeçe dhe Ai tek të 20-at. Ajo ishte femër e bukur, e dëlirë dhe Ai, një djalë i talentuar dhe i fisëm. Ishin parë trotuareve të qytetit që fshihte nën vete që nga zanafilla historinë e tri qytetërimeve. U takuan rastësisht në vagonët e një treni të zhurmshëm pasagjerësh. U dashuruan dhe nuk kishin asgjë tjetër sipër shpirtit, përveçse dashjes. Një natë me hënë të plotë, Ata u puthën në një kënetë plot shkurre, larg syve të qytetit. Puthja ishte e jashtëzakonshme. Kjo histori dashurie mbase nuk do të shkruhej, nëse ai djali i dikurshëm që i pëlqente aq shumë uniforma e oficerit nuk do të kishte një zë brilant, nuk do të ishte një aristokrat arti. Bëhet fjalë për Qemal Kërtushën; - emblemën e Durrësit, këngëtarin që për vite me radhë trazoi dhe lumturoi zemra njerëzish. Ndonëse në tetor të këtij viti ai mbush 80 vjeç, ka të njëjtën ecje, të njëjtën energji, të njëjtët flokë si valëzime deti, të njëjtën dashuri për zonjën e tij të bukur Meremen, atë vajzën e dikurshme që dhe sot e kësaj dite e sjell ndërmend lozonjare, veshur me një grykëse të zezë me jakë e çorape të bardha. E pabesueshme, gati në kufijtë e hyjnores, por Qemali ka të njëjtin zë. Një bariton i papërsëritshëm.
E takuam një natë në një nga lokalet e qytetit, në një takim poetësh. Ndërsa luhej muzikë në organo, ai mori mikrofonin, riktheu në të qindtat e sekondës gjithë jetën e tij me këngën. Ndiqte ritmin (në fakt ai kurrë nuk ka qenë statik, as në kohën e kolerës), kërcente, na shkuli nga karriget ku ishim ulur e na bëri qoftë dhe për pak të ndiheshim mbretër. E ku mbahej Qemali! Ngjante me një balerin që rrëshqiste jo mbi akull, por në një pistë mikluar ngjyra lulesh nga veriu deri në jug të Shqipërisë. I kërkuam të bënim një intervistë. Na priti në shtëpinë e tij, aty ku merr e përcjell me dashuri dhe këngë ditët dhe vitet. Ndiqni rrëfimin e tij, ku gjithçka sillet rreth shpirtit, dashurisë për jetën dhe njerëzit, si dhe shqetësimin për mirëbërjen e artit.
Mëngjeseve, sa larg apo afër i ndieni trokitjet?
Çdo mëngjes më ngjan me këngë. Ua dëgjoj trokitjet larg dhe afër. Sapo zgjohem nga gjumi këndoj një këngë, pastaj një tjetër, herë-herë fërshëllej. Meremja teksa bën punët në shtëpi, më thotë "po ajo kënga, po ajo..." Dhe unë nis e i këndoj. Kështu më ndodh gjithnjë. E kur Meremja nuk është gdhirë mirë ndonjë ditë, unë i këndoj një këngë franceze në shqip. Është shumë e bukur, ia kam kënduar që kur u dashurova me të. Vajza në këngë e ka emrin Maria, por unë e quaj Meri, Meri.
Kur rrezet cekin kanatet e dritareve dhe rrëshqasin mbi fytyrën tuaj, çfarë ndjesish ju zgjohen, a mendoni se vitet ikin?
Jo, nuk mendoj për ikjen, thjesht i them vetes do ta marr dhe këtë ditë. Jam i dashuruar me jetën, jam i dashuruar me këngën, jam i mbushur plot me dashurinë e Merit, fëmijëve, nipërve dhe mbesave, të njerëzve që i kam këtu në këtë pallat, të tjerëve kudo ndodhen.
Si erdhi dashuria, çfarë moshe ka tek Ju?
Them se lindi me mua, ashtu si kënga. Ajo nuk ka moshë, ruan të njëjtat përmasa, veçse përcillet në mënyra të ndryshme. Isha djalë fare i ri, mbase fëmijë, kur syri më fiksoi një vajzë të bukur me flokë e sy pis të zezë. Më ngjante si flutur, karino, siç thonë italianët. Kaluan disa vite dhe isha angazhuar me Ansamblin e Ushtrisë, kur takova atë vajzën. Po udhëtoja me tren nga Tirana në Durrës, kur pranë meje kisha atë që e shikoja shpeshherë në ëndërr. Ishte 15 vjeçe. Nuk di nëse rastësia apo fati na takoi sërish në tren. Me të thjesht bisedova, por nuk i thashë se çfarë ndjeja. Sapo mbërrita në Tiranë, i them Nikolla Zoraçit: "Më duket se jam dashuruar". E ndërkohë fluturoja, fërshëlleja. "Mos e mbyll jetën që tani, je shumë i ri", - më tha Nikolla. Pas disa muajsh i propozova Merit. Ndërkohë, ajo më tha: "Shko në familje"; siç ishte në atë kohë ai llafi.
Minutat e puthjes së parë, çfarë "pëlhure" kishin veshur?
Ishte natë vere me hënë të plotë. Të kapur përdore i ishim larguar qytetit dhe pa e kuptuar ndaluam në Kënetë. Në atë kohë ishte plot ferra dhe ujë. Puthja ishte e jashtëzakonshme. Ishte hera e parë për Merin dhe ajo dridhej e tëra, kujtova se do të më binte nga duart. U kthyem në qytet dhe pastaj dhe një puthje tjetër. Natën në shtëpi nuk më flihej, nuk më zinte gjumi. I thashë vetes, kjo nuk do përfundojë kurrë, dhe në fakt ashtu ndodhi, dhe sot e kësaj dite jam tmerrësisht i dashuruar me Merin.
Mbresa e parë pas vënies së kurorës?
U martuam më 8 prill të vitit 1956. Na ngjante si me pa dalë prej lufte. Nuk kishim asgjë tjetër, përveç dashurisë. Kishim aq zjarr, sa na dukej vetja se ne ishim në këtë botë dhe nuk kishte tjetër. Meremja në fejesë veshi fustanin e së ëmës, ndërsa kur vinte në takim me mua vishte fustanin e shoqes. Më vonë, kur unë dilja për koncerte jashtë vendit, i blija rrobat më të bukura. Në fakt m'i zgjidhnin balerinat e grupit. Mbaj mend se në Egjipt i bleva një kostum dhe një beretë. Por Meremja e vuri beretën vetëm njëherë. Nuk donim të binim në sy apo të veçoheshim nga të tjerët. Edhe kur blija ndonjë fanellë që nuk e kishin të tjerët, nuk e vishja; mbase ishte modesti e tepruar...
Po xhelozia dhe tundimi?
Meri ishte pak xheloze. Ndodhte që kur vinte në koncerte e më shikonte të rrethuar nga femrat që më adhuronin, edhe shpërthente e u thoshte: "Ky është burri im!". Njëherë, në xhepin e xhaketës sime kishte gjetur një letër të një vajze rumune që më adhuronte. I kishte treguar së motrës, e cila i thotë: "Kuptoje Qemalin, ai është këngëtar dhe normal që e pëlqejnë femrat. Mos i thuaj gjë për letrën, por thjesht mblidhe shuk që ta kuptojë se e ke lexuar". Meri nuk më tha gjë. Ajo më donte shumë. Kur vonohesha, më priste në ballkon deri në mesnatë, deri sa zbardhte dita. Kjo që nga koha kur u martuam, u bëmë me fëmijë dhe tani në pleqëri. Tundimi?! Doja Merin dhe këngën.
Kur kënduat për herë të parë?
Në vitin '46, në grupet amatore të Durrësit. Në vitin 1948 u bëra pjesëtar i Filarmonisë Shqiptare. Në vitet '51-'53, në Ansamblin e Ushtrisë. Në '53-in, ngaqë unë nuk doja të rrija në Tiranë (e kisha mendjen tek Meri) më caktuan aktor në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Unë nuk mund të isha aktor, isha lindur për këngë, ndaj bëra dy vite kurs me Marie Krajën. Ajo më donte shumë dhe thoshte: "Qemali, sa hap gojën është këngëtar". Në '58-ën u hap Konservatori dhe u testova nga një juri prej 20 vetash, të gjithë emra të njohur. Më thanë të këndoja në ansambël si artist lirik. Meqë isha i talentuar, nga 5 vjet do bëja vetëm 2.5 vjet në Konservator. Kur i pyeta se çfarë fitoja unë, më thanë 3 mijë lekët e bursës. Po ato lekë nuk më dilnin as për çaj dhe këtë ua thashë në sy.
Festivali i parë?
Në '62-in, festivali i Radios. Këndova 3 këngë dhe fitova 3 çmimet e para.
Incidenti i parë me "jurinë" e kohës?
Në 25-vjetorin e partisë. Kishin ardhur delegatë nga e gjithë bota dhe në Vilën e Zogut (atëherë Shtëpia e Pritjes) do jepej një koncert nga solistët e Durrësit. Rreth orës 17:00, unë dhe kolegët e mi shkuam tek vila, por oficeri i rojës, të cilin e njihja, nuk më la të futesha. Problemi ishte se nuk e kisha emrin në listë. Bënte shumë ftohtë dhe binte shi. U bëmë qull duke pritur. E humba durimin dhe u thashë pjesëtarëve të grupit, "hajde ikim". Pak minuta pasi shkova në shtëpi, erdhi shoferi i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe më bëri namin. Shkuam në koncert, ishte gjithë udhëheqja e partisë, përveç Enverit. Do këndoja një këngë të njohur spanjolle, "Granada". Sapo nisa këngën ra një heshtje e thellë në sallë e më pas ovacione. Më përgëzuan Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Hysniu më tha: "Ke zë të mrekullueshëm". Në moment m'u afrua dhe sekretari i Parë i Partisë Komuniste Spanjolle dhe më pyeti se në cilin Konservator të Perëndimit kisha studiuar. Kisha një huq, pasi përgjigjet i jepja direkt. I thashë, në Konservatorin e Kavajës (të më falin kavajësit se jam dhe nip atje). Të gjithë drejtuesit e lartë po qeshnin me lot, ndërsa ai spanjolli nuk po kthjellohej se cilit shtet i përkiste Konservatori i Kavajës. Të nesërmen më thirrën në Komitetin Ekzekutiv dhe ndonëse i sqarova se nuk na lejuan të hynim tek Shtëpia e Pritjes, ndonëse u bënë verifikime nga Hetuesia, më hoqën vërejtje. Më thanë të kisha kujdes, se më ishte rritur mendja...!
Emocioni më i madh apo batutat që ju kanë lënë mbresa?
Emocionet më kanë ndjekur gjatë gjithë karrierës si këngëtar. Në '63-in do të bëja koncert recital. Ishte hera e parë në Shqipëri. Kisha përgatitur 20-23 këngë. Nisa maratonën në Durrës, Tiranë dhe Shkodër. Kisha merak Shkodrën, nuk e dija sesi do më prisnin, pasi bëhej fjalë për qytetin e muzikës dhe muzikantëve më me emër. Por kur nisa të këndoja, dëgjohej vetëm frymëmarrja e njerëzve. Pas çdo kënge ovacione, nisën të thërrisnin: "Rroftë Qemal Kërtusha!" U vura në siklet, pasi në atë kohë thuhej vetëm, 'rroftë Enveri'. Në fund të shfaqjes më vjen afër Tano Banushi. Më pyet: "A mos je prej Shkodret? Po, po prej Shkodret je". Ia ktheva: "E pse duhet me qenë prej Shkodre?" Ai m'u përgjigj me humor: "Se vetëm shkodranët dinë me knu bukur".
Në sa gjuhë të botës ka kënduar kapidani i kapidanëve?
Në një emision televiziv dëgjova një ditë që po flitej me superlativa për një këngëtar të huaj që këndonte në 7 gjuhë. Madje qesha me vete. Unë kam kënduar në 12 gjuhë të botës. Madje dhe në gjuhën kineze. Në kohën kur kishim marrëdhënie të mira me Kinën, na thanë se do jepnim koncert tek hotel "Adriatiku" në Durrës. Përveçse drejtuesve lokalë të Durrësit ishte dhe Rita Marko. Gjatë koncertit, një koleg i imi del në skenë e këndon gjoja në gjuhën kineze (këngë me citate të Mao Ce Dunit). Të gjithë shtangën, ndërsa kinezët nuk po kuptonin gjë. Atëherë, shoku im u thotë atyre që ishin në sallë: "Këto nuk qenkan nga provinca ku mësova këngën". Ishte e sikletshme. Dola në skenë dhe këndova këngën "Tan fan hun", një këngë homazh për Mao Ce Dunin. Një tingull e theks i shkëlqyer. Dëgjova në sallë delegacionin kinez që thoshte: "Ho, ho, henho" (mirë, mirë, shumë mirë). Kinezët u ekzaltuan.
Kur dilnit jashtë vendit me koncerte, keni frekuentuar ndonjë shtëpi publike?
Njëherë të vetme (qesh). Në '63-in, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore nisi një tur koncertesh në Algjeri (dhe në Marok e Egjipt). Na çuan për të fjetur tek Shtëpia e Pritjes në lagjen "Kazbah". Shtëpia s'kishte penxhere, ballkonet i kishte nga brenda, kishte banak me ngjyrë të kuqe e pasqyra rreth e qark. Nuk i kushtuam rëndësi. Natën dëgjuam trokitje në portë. E hapëm, kur pamë 20 marinarë francezë. Atëherë kuptuam se shtëpia kishte dhe funksion tjetër. E mbyllëm derën, më pas dëgjuam prapë trokitje. E kishim vendosur që të mos e hapnim më. Ai që i binte derës na tha në shqip: "Hapeni se dua të hyj brenda!". Kishim lënë pas porte ambasadorin tonë. I thamë se gabimisht na kishin sjellë në shtëpi publike.
Cili është pengu i Qemal Kërtushës në rrugëtimin e gjatë të këngës?
Do doja të më nderonin me titullin "Mjeshtër i Madh i Punës" dhe "Artist i Popullit" .
Çfarë e vret në shpirt lirikun e Durrësit?
Harresa, me ose pa dashje nga ata që pretendojnë se njohin dhe vlerësojnë artin.
Meraku dhe mesazhi i Kërtushës?
E kam merak këngën, dua që veshi ta dëgjojë mirë. Shumë prej këngëve që këndohen sot janë stonatura. Shqipëria ka zëra e këngëtarë virtuozë me vokal të mrekullueshëm, sidomos femrat. Këta zëra të mrekullueshëm japin maksimumin, aq sa ka kënga. Por ka dhe zëra që përdoren për komercializëm. Nuk duhet të ekzagjerohet, arti mbetet art.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›