E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fuqizon Inspektoratin e Ndërtimit

Këshilli i Ministrave mori dje dy vendime, që dëshmojnë se beteja e deklaruar e Kryeministrit Sali Berisha nuk ka ndalje. Përmes një vendimi, qeveria bëri kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të sipërfaqes së truallit të parkut "Rinia" në Tiranë. Vendimi i dytë ishte zgjerimi i përgjegjësive dhe detyrave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik.

"Tajvani"

Kryeministri u shpreh se vendimi shfuqizon atë me të cilin është përvetësuar toka publike, në zemër të Tiranës, jashtë çdo lloj kompetence të Këshillit Bashkiak. "1350 metër katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak, në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore. Në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006, Agjencia e Pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë, toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit", tha Berisha. Duke siguruar qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme, Kryeministri kërkoi nga ekspertët anulimin e vendimit të paligjshëm. "Unë garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë, pavarësisht nga përkatësia apo orientimi", theksoi ai. Pala e prekur nga ky vendim deklaroi dje se "sipërfaqja e truallit prej 1310 m2 e legalizuar është një sipërfaqe ndihmëse e kompleksit ‘Tajvan‘, e cila aktualisht është pjese e lulishtes hyrëse, ndërkohë që vetë kompleksi ‘Tajvan‘ dhe trualli nën të është pronë private e blerë nga shoqëria ‘Tajvan sh.p.k‘".

Inspektorati

Qeveria miratoi dje disa shtesa në ligjin për inspektimin e ndërtimit. Kryeministri u shpreh se për qeverinë është përparësi absolute siguria e qytetarëve, prandaj ky ligj do të kalojë me përparësi në Parlament, që inspektorati qendror të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike dhe kërcënohet siguria publike. Në bazë të këtyre ndryshimeve u jepen kompetenca të plota për ndërhyrjen me emergjencë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, duke krijuar në këtë mënyrë një forcë të ndërhyrjes së shpejtë pranë inspektoratit. Kryeministri u shpreh se kjo bëhet para së gjithash dhe mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë. "Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë të autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë etj", tha ai. Duke theksuar se kjo situatë nuk mund të tolerohet më tej, Kryeministri bëri të ditur se qeveria do të autorizojë inspektoratin për ndërhyrjet më të fuqishme, më energjike. "Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën, thotë se është edhe një pallat diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që të kërcënojë këta qytetarë në mënyrën më evidente nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm", vijoi Kryeministri.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›