E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi fton investitorët polakë vendin tonë

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe kuadrin e nevojshëm ligjor për të tërhequr më tepër investitorë polakë. Ky pohim është bërë dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit që ai zhvilloi me kryetarin e senatit polak, Bogdan Boruseviç. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se në takimin me kryetarin e Senatit polak dhe delegacionin që e shoqëronte atë, Topi theksoi nevojën e intensifikimit së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen që Polonia i ka dhënë vendit tonë për t u integruar në NATO, duke nënvizuar faktin që trupat tona ushtarake kryejnë misione të përbashkëta paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan. Ai vlerësoi ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian nga ana e Parlamentit polak, duke e quajtuar përvojën integruese polake në këtë drejtim të rëndësishme e të frytshme për vendin tonë. Presidenti Topi vlerësoi dhe njohjen nga Polonia të pavarësisë së Kosovës, duke nënëvizuar se “kjo tregoi se çështja e Kosovës është një rast “sui generis” – i veçantë, dhe se tashmë rajoni ynë ka siguruar një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë duke bashkëpunuar për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik. Kryetari i Senatit të Polonisë, Bogdan Boruseviç, evidentoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, duke nënëvizuar se senatorët e pranishëm në delegacion janë anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Poloni-Shqipëri. Ai vlerësoi përparimet e vendit tonë, duke shprehur njëkohësisht përkrahjen dhe mbështetjen për përpjekjet integruese të Shqipërisë në familjen evropiane, një perspektivë e qartë kjo që është në interes edhe të vetë Evropës. Ai u ndal dhe tek roli stabilizues dhe moderator i Shqipërisë në rajonin Ballkanik. Kryetari i Senatit polak nisi një ditë më parë një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›