E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra e Kinematografisë, hidhen poshtë 12 projektet filmike

07/04/2011  Flet kryetari i QKK-së, Artan Minarolli: Skenarët ishin të dobët

Skenarë të dobët, pa përmbajte, madje me perversitete dhe thellësisht amatoreske. Të tillë janë cilësuar projektet filmike të paraqitura në Bordin e Qendrës Kombëtare Kinematografike për aprovim dhe që u hodhën të gjithë poshtë tre ditë më parë.

Bordi i QKK-së vendosi të mos aprovojë asnjë nga 12 projektet për filma të shkurtër që kishin aplikuar për aprovim.

Kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarolli, rrëfen në një intervistë se pse u hodhën poshtë të gjithë projektet dhe për gjendjen e kinematografisë shqiptare…

Bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike (që zyrtarisht quhet Këshilli i Miratimit të Projekteve - KMP) zgjidhet nga shoqatat e kineastëve dhe sanksionohet nga kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike. Ai zgjidhet një herë në dy vjet, ndërsa kryetari ka mandat 4-vjeçar. Këshilli miratues aktual përbëhet nga Teodor Laço (kryetar, shkrimtar, skenarist), Bujar Lako (aktor), Durim Neziri (skenograf që ka marrë pjesë pothuajse në të gjithë filmat pas viteve ’90-të), Agron Tufa (shkrimtar) dhe Esat Mysliu (regjisor filmi).

Pse nuk u aprovua asnjë nga projektet? Çfarë u mungonte?

Skenarët u konsideruan nga bordi shumë të dobët, pa përmbajtje, disa prej tyre me perversitete dhe thellësisht amatoreske. Në fakt kjo duket si sfidë që i bëhet brezit të ri, por ja që kësaj radhe ndodhi kështu. Unë jam shumë dakord me vendimin e bordit.

Bëhej fjalë për autorë të rinj?

Po, ishin relativisht të rinj që duan të provojnë të futen në kinematografi. Në përgjithësi marrin përsipër të shkruajnë vetë skenarët, gjë që është pak e vështirë.

Në fakt skenarët ishin të tillë, që nuk kishin të bënin me gjininë e filmit të shkurtër, por ishte një kakofoni mendimesh midis filmit të gjatë dhe të shkurtër. Skenarë që në përgjithësi ishin të mbushur me dialogje dhe skena të panevojshme që nuk kishin thelbin e filmit të shkurtër. Gjinia e filmit të shkurtër ashtu si edhe tregimi në letërsi ka shprehje dhe gjetje të veçantë, ku gjuha është lakonike, ndërsa substanca është shumë e fortë.

Në ç’mënyrë aplikohet për projektet që paraqiten pranë Qendrës dhe mbi ç’kritere bëhet përzgjedhja e tyre?

Normalisht ne kemi dy data aplikimesh që nuk duam t’i lëvizim: 15 mars dhe 15 shtator. Me anë të lajmërimeve në web site dhe e-maileve që ne iu dërgojmë kineastëve i kujtojmë shumë kohë më parë për këto data. Aplikojnë producentë që kanë licencë dhe që janë të regjistruar në QKK. Producentët paraqesin projekte që shoqërohen me skenarët, regjisorët pjesëmarrës dhe sigurisht dhe skenaristët. Gjithashtu producenti plotëson një sërë letrash që ju kërkohen nga QKK për këtë aplikim. Pastaj dosjet ne ua dërgojmë anëtarëve të bordit dhe ata marrin vendim se cili projekt duhet financuar. Kriteret kryesore janë vlerat artistike të skenarëve dhe besueshmëria e producentit që kryen aplikimin. Ky është një model perëndimor që rrjedh direkt nga ligji për kinematografinë që është një ligj shumë modern për kushtet shqiptare.

Duke qenë regjisor dhe njëkohësisht drejtor i Qendrës së Kinematografisë, si e shihni prodhimin e filmit sot në Shqipëri?

Duke u nisur nga eksperienca si autor, producent dhe kryetar i QKK-së në kushtet e sotme kam arritur në përfundim se prodhimi i filmit është i lidhur shumë ngushtë me profesionalizmin e prodhimit dhe pasionin. Prodhimi i një filmi nuk është si prodhimi i çdo malli. Filmi është një mall artistik, domethënë është një mall që ka krijimtarinë në thelb. Për këtë arsye producenti ose prodhuesi duhet të jetë shumë i lidhur me artin kinematografik. Nuk mund ta shohë filmin si një mall të zakonshëm që mund të fitojë fond nga QKK. Çdo producent duhet të jetë shumë i informuar në fushën e artit. Duhet të kuptojë nga skenari dhe regjia. Nëse nuk i ka këto njohuri ai nuk mund të ketë aftësinë për të zgjedhur dhe ndihmuar një kineast. Ai duhet të kuptojë që filmi duhet të gjejë terren edhe jashtë Shqipërisë. Për këtë ai ose ajo duhet të vjelë sa më shumë fonde që filmi të shpërndahet sa më gjerë. Nuk mund të aplikohet me idenë që nuk kanë target, domethënë audiencë të gjerë.

Si e shihni gjendjen e filmit shqiptar dhe nivelin e kineastëve shqiptarë në raport me kineastët dhe krijimet në rajon?

Unë fola për producentët që sigurojnë financën e një filmi. Gjithashtu pikë e rëndësishme është regjisori dhe skenaristi. Projektet sot në botë, rrjedhimisht edhe tek ne shikohen si kombinimi i trianglit producent-regjisor-skenarist. Bashkëveprimi i tyre mund të sigurojë suksesin. Në Shqipëri gjërat janë në dinamikë interesante. Sigurisht ne akoma nuk kemi industri filmi, por e rëndësishme është se ka përpjekje të brezave të ndryshëm për t’u shprehur fort në artin kinematografik. Siç e dini në kohët fundit kemi pasur suksese, por nuk duhet të harrojmë që shoqëria shqiptare sot është duke u metropolizuar dhe fushat artistike, zbavitjet, sporti, filmi i huaj dhe publicitetet kanë zënë shumë hapësira të mendimit njerëzor. Për kinematografinë shqiptare megjithëse lakmohet nga publiku nuk ka mbetur shumë vend. Kinematografia shqiptare insiston të thotë edhe ajo fjalën e vet dhe pjesërisht ia arrin qëllimit duke pasur parasysh koston e lartë që ka ky prodhim. Por pa dyshim më shumë mund të bëhet.

Si funksionojnë politikat e financimit të projekteve artistike? Si financohet sot kinemaja shqiptare?

QKK-ja është i vetmi institucion buxhetor që financon kinematografinë. Ky buxhet duhet shpërndarë sa më mirë në të gjithë gjinitë: e filmit të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar. Kriteri kryesor përzgjedhës është promovimi i vlerave artistike që vijnë nga autorë të talentuar dhe të përkushtuar në këtë art.

Mendoni se ky buxhet është i mjaftueshëm dhe çfarë politike duhet të ndiqet “ndryshe” në këtë drejtim?

Buxheti është ky që është. Kjo nuk është kryesore, se prodhimet duhet të gjejnë fonde nga partnerë të tjerë. Kjo ka të bëjë se sa të interesuar janë institucione të tjerë, televizione apo privatë për këtë lloj arti.

Sa të arrirë artistikisht janë filmat që prodhohen, sa afër publikut dhe sa aplikohet krijimi kinematografik me buxhet të ulët?

Janë sigurisht më të arrirë se disa prodhime televizive që sundojnë televizionet.

Por mendon se duhet të aplikohen më tepër të tillë?

Nuk ka rëndësi numri se sa cilësia.

ǒhapësirë u krijohet të rinjve në tregun e ri kinematografik dhe ç’rol luajnë organizimet e festivaleve të filmit?

Kam vënë re se ju në përgjithësi kërkoni shumë rezultat nga kinematografia shqiptare dhe nuk flisni fare për prodhime televizive që po shkatërrojnë shqiptarët estetikisht dhe nga ana kulturore. Është e rëndësishme se kinemaja shqiptare bën pikërisht të kundërtën, mundohet të implentojë kulturën krijuese që vjen direkt nga realiteti shqiptar. Kjo përpjekje duhet respektuar. Rezultatet janë të ndryshme. Për të rinjtë ne financojmë diplomat e studentëve të shkollës së filmit. Gjithashtu hapim konkurse për filma të shkurtër.

Festivalet mendoni se kanë ndikim në këtë drejtim?

Festivalet kanë shumë ndikim. Në botë dhe këtu tek ne shpenzohen shumë financime për festivalet sepse pa këto nuk ka gara artistike. Nuk mund të ketë futboll pa kampionate. Është pak a shumë kështu. Vetëm në festivale verifikohen vlerat dhe talentet, se kush mund të shkojë përpara dhe gjithashtu shkëmbehen kulturat dhe idetë artistike. Pa to nuk mund të ekzistojë kinematografia.

Sa bashkëkohore dhe afër publikut janë temat në kinematografinë shqiptare?

Sivjet në Berlin kinemaja shqiptare pati shumë sukeses. Shqipëria u përmend nga shtypi si vend me krijimtari të pasur. Kishim tre filma: “Anmistia”, “Shqiptari” dhe “Falja e Gjakut” që na prezantuan më së miri. Mund të thosha që po shndërrohet në bashkëkohore, ndërsa për sa i përket publikut do të kisha ca rezerva.

Çfarë rezervash?

Sot është e vështirë që publiku të marrë menjëherë dhe të jetë prezent me këtë kinematografi sepse siç e di kjo është shumë e lidhur me distribucionin që është një hallkë që nuk funksionon si duhet.

Megjithëse u përgjigjët disi, mendoni se për të qenë “të suksesshëm”, duhet të varemi ende te bashkëprodhimet me të huajt? ǒmbështetje u është dhënë nga QKK-ja projekteve artistike shqiptare në këtë drejtim, duke përfshirë edhe financimin?

Absolutisht po. Prandaj thashë se nuk ka rëndësi sa financon QKK-ja. Rëndësi ka se sa partnerë gjenden për projektin e filmit. Partnerët e organizojnë më mirë prodhimin dhe distribucionin. Midis partnerëve diskutohet më mirë edhe për skenarin, për idenë themelore dhe se sa target (publik) ka.

ǒmund të thoni për gjendjen e statusit të artistit dhe problemet me piraterinë e filmit?

Pirateria është vjedhje, por vështirësia është se filmat vidhen ose piratohen në mënyrë virtuale dhe është shumë vështirë t’i konstatosh.

Së fundi, ç’mund të thoni për projektet artistike të miratuara për këtë vit nga QKK?

Kemi miratuar 4 filma të gjatë me regjisor të karrierës dhe presim realizimin që siç e di shkon gjatë. Dhe nuk aprovuam asgjë për të shkurtrit, por unë shumë shpejt do të hap konkurs jashtë radhe përsëri për të rinjtë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›