E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Sauk, autori shpjegon mekanizmin e montimit të eksplozivit

Hetimet Policia: E ka montuar vetë, ose e ka mësuar mirë mekanizmin. Nuk tregon bashkëpunëtorë

Autori i vënies së eksplozivit në televizor ka këmbëngulur se gjithë skenarin e ka përgatitur vetë, duke mos treguar asnjë bashkëpunëtor. Naim Dervishi ka shpjeguar edhe mekanizmin e vënies së eksplozivit, me qëllim që të heqë dyshimet e policisë për bashkëpunëtorë, pavarësisht se policia vazhdon ta hetojë më tej këtë rast. Ai ka marrë përsipër vënien e tritolit në banesën e Xhevdet Xhebrahimit, i cili mbeti i vdekur bashkë me të afërmin e tij, Luan Brahja, si dhe u plagën tre familjarët e tjerë.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, i arrestuari për këtë ngjarje, Luan Dervishi, i cili ka pranuar krimin, është marrë disa herë në pyetje në lidhje me atentatin. Policia ka dyshime se ai nuk ka qenë i vetëm në këtë ngjarje, pavarësisht se nga deklaratat e tij rezulton e kundërta. Ai ka shpjeguar me detaje mënyrën e vendosjes së eksplozivit, duke treguar sesi e kishte ndërtuar atë dhe si kishte mësuar të montonte eksplozivë të tillë. Ai ka shpjeguar se e kishte lidhur eksplozivin me transformatorin e televizorit, duke e përshtatur edhe për fuqinë e energjisë. Pas marrjes së dëshmisë, policia ka pyetur ekspertët xhenierë në lidhje me mekanizmin e shpjeguar nga Dervishi dhe ka rezultuar se ekzistonte një mundësi e tillë. Në këto kushte, policia është shprehur se ka vetëm dy mundësi. Një prej tyre është ajo e përgatitjes së eksplozivit vërtet nga ana e tij, ndërsa mundësia tjetër ka të bëjë me dyshimet se ai i ka mësuar këto për të mbrojtur personat që e kanë ndihmuar për të realizuar atentatin për shkak të hakmarrjes, pasi Xhebrahimi kishte vrarë xhaxhanë e tij. Megjithatë, hetimet vijojnë dhe policia tha se ka shoqëruar edhe persona të tjerë në lidhje me këtë ngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të saj.

Si pasojë e këtij shpërthimi ka gjetur vdekjen Xhevdet Xhebrahimi, 71 vjeç dhe Luan Brahja, 32 vjeç, me banim në Sauk, si dhe janë plagosur lehtë Fatbardha Xhebrahimi, Altin Xhebrahimi dhe Shpresa Xhebrahimi. Në lidhje me këtë ngjarje u ngrit një grup i posaçëm hetimor, ku nga veprimet e kryera rezultoi se lënda shpërthyese ka qenë e vendosur në një televizor, i cili i ishte bërë dhuratë Xhevdet Xhebrahimit nga autori i ngjarjes. Autori e ka dërguar televizorin me një taksist në banesën e Xhebrahimit. Nga hetimet e kryera rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Xhevdet Xhebrahimi, në vitin 1997, ka vrarë më armë zjarri Naim Dervishin, i cili i kishte ngacmuar vajzën dhe ky ishte xhaxhai i Luan Dervishit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›