E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat e Votimit, KQZ cakton sot numërtimin

Numërtimi i zonës së qendrës së votimit do të bëhet me anë të një numri katërshifror. Numërtimi do fillojë nga njësia e qeverisjes vendore në veri të vendit, dhe konkretisht nga zona e QV-së nr.0001 e komunës Gruemirë 

TIRANE-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot udhëzimin që ka për qëllim të përcaktojë rregullat që duhet të ndiqen nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, për numërtimin e zonave të qendrave të votimit në mënyrë unike në shkallë vendi. Numërtimi i zonës së qendrës së votimit do të bëhet me anë të një numri katërshifror. Numërtimi do fillojë nga njësia e qeverisjes vendore në veri të vendit, dhe konkretisht nga zona e QV-së nr.0001 e komunës Gruemirë, të qarkut Shkodër, dhe do vijojë në mënyrë progresive në drejtimin veri-jug të vendit, deri në zonën e QV-së nr.4734 të komunës Xarë, të qarkut Vlorë. Zona e qendrës së votimit duhet të jetë brenda një territori kompakt e të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi nuk mund të jetë më i vogël se 150 dhe më i madh se 1000 zgjedhës, me përjashtim të institucioneve të posaçme, ku qendra e votimit mund të ngrihet edhe kur në të ndodhen, të paktën 15 zgjedhës. Kufijtë e zonave të qendrave të votimit dhe numri i tyre caktohen sipas këtij udhëzimi, nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore. Ndërkohë, detyrat e përcaktuara në këtë udhëzim, për Bashkinë e Tiranës, do të ushtrohen nga kryetarët e njësive bashkiake.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›