E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqen maskat në rrugët e Shqipërisë

Në Mat, dy persona grabisin furgonin me 20 pasagjerë. Në Vlorë vidhen 12 milionë lekë në një pikë karburanti
Ende pa hyrë mirë viti 2010, në Shqipëri janë rishfaqur maskat. Dy grabitje janë regjistruar ditën e djeshme, një në Mat dhe tjetra në Vlorë, ku persona të maskuar kanë kryer grabitje. Në Mat, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një furgon pasagjerësh duke u marrë atyre paratë dhe sendet me vlerë që kishin. Ndërsa pak orë më vonë, në Vlorë është regjistruar një tjetër grabitje, ku dy persona të armatosur kanë grabitur rreth 12 milionë lekë në një pikë karburanti.
Maskat në Mat
Dy persona të maskuar kanë grabitur një furgon me 20 pasagjerë që udhëtonte në aksin rrugor Selishtë-Tiranë. Grabitja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, në vendin e quajtur Vig të Matit. Sipas dëshmitarëve, dy persona me maska dhe automatikë kanë dalë para furgonit. Më pas i kanë urdhëruar pasagjerët, nën kërcënimin e armëve, të zbrisnin në tokë duke u kërkuar që të jepnin të gjithë lekët që kishin me vete, si dhe aparatet celularë. Sipas dëshmisë së një gruaje, e cila ka qenë në furgon, grabitësit u kishin marrë lekët vetëm burrave, ndërsa gratë i kishin urdhëruar më pas të hipnin në furgon. Ajo tregon se grabitësit nuk kishin ushtruar dhunë ndaj pasagjerëve. Aktualisht furgoni ndodhet në Komisariatin e Burrelit, ku ekspertët hetimorë po kryejnë veprimet e duhura procedurale. Ata kanë marrë në pyetje të gjithë pasagjerët, me shpresën e zbulimit të ndonjë të dhëne që mund të çojë në arrestimin e dy autorëve. Pak kohë më parë, në nëntor të 2009, po në Vig të Matit, u krye një tjetër grabitje e furgonit të po kësaj linje.
Grabitja në Vlorë
12 milionë lekë ka qenë shuma e grabitur në një pikë karburanti në qytetin bregdetar. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, duke u gdhirë dita e hënë, në një pikë karburanti në dalje të qytetit të Vlorës, gjatë rrugës për në Babicë, kur dy persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e një karburanti. Me anë të armëve ata kanë kërcënuar rojën dhe i janë afruar kasafortës. Sipas të dhënave të policisë, dy grabitësit e kanë marrë më vete kasafortën dhe janë larguar në drejtim të paditur. Burime nga Policia e Vlorës thanë se roja nuk është dëmtuar nga grabitësit, por nuk ka mundur dot të ruajë paratë e xhiros ditore, e cila përllogaritet të jetë rreth 12 milionë lekë. Nga ana e tyre, uniformat blu të qytetit bregdetar kanë filluar punën për identifikimin dhe arrestimin e dy grabitësve.

Hackera-t shqiptarë sulmojnë një faqe interneti në Britani

Angli – Hackera-t shqiptarë sulmojnë një faqe interneti në Britani. Një faqe interneti e organizatës së Investimeve Financiare të Britanisë së Madhe (UKFI), një organizatë që menaxhon investimet qeveritare në bankat e Britanisë së Madhe, është sulmuar nga hackera. Në sajt shfaqet një mesazh që tregon se është goditur nga piratët e internetit me kombësi shqiptare. Sulmi është bërë në fundjavë. Në faqen zyrtare të UKFI-t u lexua ky mesazh: "Status: HackeD. Albanian Corrupt IceCr4cKeR, Foxi, L2H4X”. Ajo filloi punën pas disa orë ndërprerjesh.
UKFI nisi punën në nëntor të vitit 2008 për të menaxhuar investimet qeveritare në banka të tilla si: Banka Mbretërore e Scotland dhe “Bradford & Bingley”.
Ky sulm vjen vetëm pak ditë pas sulmit të bërë dy ditë rresht ndaj faqes së Kryeministrisë shqiptare. Në mesazhin që shfaqej në faqen e parë kërkohej Shqipëria e Madhe. Pas rregullimit të kësaj faqeje, hackera-t, të cilët identifikoheshin si nga Kosova, e sulmuan sërish atë, por këtë herë me mesazhin se ka ende boshllëqe në faqe. Ky sulm erdhi vetëm pak orë pas vizitës së një delegacioni serb në Shqipëri dhe takimit të tyre me kryeministrin Sali Berisha.

Vidhet shtëpia e një kampisti

KORÇË – 20 mijë euro dhe 400 mijë lekë janë grabitur në shtëpinë e një kampisti në Korçë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ku persona të paidentifikuar kanë grabitur shtëpinë e Berti Markos duke marrë shuma të konsiderueshme parash dhe valute. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave, në momentin e grabitjes në shtëpinë e kampistit Berti Marko nuk ndodhej njeri. Sipas burimeve, hajdutët kanë hyrë me forcë dhe kanë arritur të vjedhin 20 mijë euro dhe 400 mijë lekë të rinj. Burimet saktësojnë më tej se menjëherë pas denoncimit të Markos, agjentët e Antikrimit kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe arrestimin e tyre.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›