E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat e votimit në mjedise publike e private

Durrës- Pjesa më e madhe e qendrave të votimit në qarkun e Durrësit janë vendosur në mjedise publike. Sipas një informacioni zyrtar të KZAZ-së numër 8, që është edhe qendra më e madhe e numërimit të votave në nivel qarku, nga 163 qendra votimi, që numëron bashkia e Durrësit, vetëm 12 prej tyre janë në mjedise private. Kryetari i KZAZ-së, Doklead Ademi dhe nënkryetari Zhyljen Varfaj janë shprehur se të gjitha qendrat e votimit në mjedise private janë diskutuar paraprakisht dhe vetëm pasi është miratuar nga përfaqësues të subjekteve politike është pranuar edhe pasqyrimi në hartë i tyre. Si qark do të funksionojnë katër KZAZ, prej të cilave dy janë hapur në qytetin e Durrësit, një në Shijak dhe një tjetër në Krujë. KZAZ nr. 8 në Durrës tek Pallati i Sportit do të mbulojë 147.002 votues në 164 qendra votimi. KZAZ numër 9 tek shkolla Naim Frashëri do të numërojë votat e 47.031 shtetasve, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre në qendrat e votimit në Sukth, Maminas, Manëz, Ishëm, Katund i Ri. Një KZAZ më vete, do të jetë në Shijak për 44.437 me 52 qendra votimi të ngritura në qytet dhe në komunat Xhafzotaj, Rrashbull e Gjepalaj. Nënprefektura e Krujës është KZAZ më vete, me 53.996 votues në 78 qendra votimi, të hapura në bashkitë Krujë e Fushë-Krujë dhe komunat Thumanë, Cudhi, Bubq e Nikël. Nënkryetari në KZAZ-në numër 8, Zhyljen Varfaj ka pohuar se në pjesën më të madhe, këto qendra votimi si në Durrës edhe në njësitë e tjera, në bashki e komuna të qarkut, janë vendosur në shkolla, kopshte, çerdhe, administratë publike, ndërmarrje të ndryshme shtetërore e librari. Janë fare pak prej tyre që gjenden në lokale private dhe se të tilla mjedise kanë shërbyer në kohë si qendra votimi duke fituar besueshmërinë e palëve në përballje të tilla politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›