E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nuk rrezikohet nga shpërthimi në Japoni

Flet fizikani bërthamor Niko Civici: Rrezatimi nuk na prek, Japonia është larg. Shpërthimi i reaktorit nuklear të Fukushimës dhe rrezikimi i një tjetri nuk do të mund të përhapet përtej Paqësorit

Skenari i ’86-s, kur reja bërthamore e Çernobilit mbërrit deri në Shqipëri, nuk ka gjasa të përsëritet me Japoninë. Shpërthimi i reaktorit nuklear të Fukushimës dhe rrezikimi i një tjetri, sipas fizikanit bërthamor Niko Civici, nuk do të mund të përhapet përtej Paqësorit. Pra, hë për hë, mund të themi se Shqipëria është e sigurt. “Deri tani rrezikimi i pjesës tjetër të botës nuk është serioz, për arsye sepse sasitë e lëndës radioaktive të lëshuara konsiderohen të jenë mjaft të vogla. Parashikimet tregojnë që lëvizjet e erërave nga Japonia çojnë drejt oqeanit Paqësor, kështu që gjithë pjesa e lëndëve radioaktive do të prekë zonën e oqeanit për 4-5 ditët e ardhshme”, - thotë Civici. Por, ekzistenca e të tjerë centraleve nuklearë, sidomos ato të Europës Qendrore, në skenarin më të keq nuk e lenë Shqipërinë jashtë hartës së ndotjes. “Për sa i përket ndikimit në Europë, nëse ndodh një aksident, siç patëm eksperiencën gjatë aksidentit të Çernobilit, masat ajrore lëvizin shumë, qarkullojnë nëpër Europë. Ndikimi mund të jetë, shkalla sesa do jetë ndikimi pastaj do varet shumë nga kushtet meteorologjike të asaj periudhe”, - vijon fizikani bërthamor Niko Civici. Pas Japonisë, Europa është përfshirë nga debati për sigurinë e centraleve të veta bërthamore. Rasti i Çernobilit vërtetoi se, pavarësisht nga largësia, kur bëhet fjalë për energjinë bërthamore askush nuk është i sigurt. Aktualisht ka ende shqetësim global për këtë çështje, pasi Japonia rrezikohet nga një shpërthim i tretë. Teknikët janë duke u përpjekur të stabilizojnë një reaktor të tretë, disa orë pasi një shpërthim i dytë tronditi centralin atomik të Fukushimës. Por autoritetet përjashtojnë për momentin mundësinë e një ndotjeje radioaktive, ndërsa ekspertët thonë se një katastrofë në përmasat e Çernobilit ka pak gjasa të ndodhë, pasi masat e sigurisë janë shumë më të mëdha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›