E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lulja e Kaktusit” në teatrin ‘Petro Marko’

Premiera e sezonit në teatrin “Petro Marko” është komedia “Lulja e Kaktusit”. Sipas drejtorit të teatrit, Dhimitraq Furxhi, publiku me praninë e tij në sallë e ka vlerësuar këtë si “një eveniment që vjen në këtë situatë të turbullt politike, ku artdashësit kanë nevojë të ndjekin shfaqjet e teatrit “Petro Marko”, se ia vlen për të parë një komedi në një situatë të tillë. Në dy shfaqjet e para, ne kemi patur testimin e publikut dhe ajo është pritur mirë, në të gjithë komponentët e tij, zgjedhjen e pjesës, punën regjisoriale si dhe interpretimin e aktorëve”. Ndërsa regjisori Roland Minga tha se kjo vepër e suksesshme në mbarë botën është një garanci suksesi edhe për teatrin “Petro Marko”. “Por nuk ishte ky shkaku, në fakt, i përzgjedhjes së kësaj vepre. Një nga shkaqet kryesore është se personazhet e veprës janë jetësorë, i përjetojmë dhe i shohim përditë, madje në momente të caktuara, mund të kemi qenë dhe vetë ne. Mesazhi që kjo komedi përcjell është i gjithëkohshëm. Ne i kemi të mirat dhe mrekullitë rreth nesh dhe çuditërisht instinkti njerëzor i sheh diku larg”- u shpreh regjisori Minga. Komedia do të vijojë të shfaqet deri në fund të kësaj jave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›