Qerimaj, kampioni i Botës student në degën e drejtësisë

Erkand Qerimaj, kampion botëror i peshëngritjes, do të ketë tashmë shumë mundësi të reja suksesi. Ai ka fituar nga grupi "Dudaj" një bursë të plotë studimi në Universitetin "Marin Barleti" (www.umb.edu.al) në Tiranë, ku do të studiojë në degën drejtësi. Në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara së fundi sot në mjediset e këtij universiteti, u bë shpallja e programit të bursave dhe kredive favorizuese që ofrohen nga Banka Kombëtare Tregtare dhe nga përfaqësuesit e grupit "Dudaj".
"Falë Universitetit "Marin Barleti", dhe grupit "Dudaj", mua më realizohet një ëndërr dhe më jepet një mundësi shumë e madhe, pasi suksesi im nuk do të kufizohet vetëm me arritjet në sport, por edhe në shkollë, - është shprehur peshëngritësi Qerimaj, pas marrjes së bursës nga grupi "Dudaj". - Dhe, do të përpiqem që, me të njëjtin vullnet që ngrita 175 kilogramët që më dhanë trofeun e më të mirit të botës, po me aq vullnet do të studioj për drejtësi, ëndërr të cilën e kam pasur që i vogël."
Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, ka shprehur falënderimet e tij për këtë mbështetje financiare, që është një ndihmë e madhe për individët me merita të vecanta në sport, të cilët, të pajisur edhe me nivelin e përshtatshëm të dijeve, ngrenë më lart imazhin e Shqipërisë në botë. Përvec Qerimajt, përfaqësuesit e grupit "Dudaj" shpallën edhe dy bursa për mbështetjen e dy studentëve më të mirë, që do të regjistrohen në Fakultetin e Shkencave.
Ndërsa përfaqësuesit e Bankës Kombëtare Tregtare shpallën dy bursa për Fakultetin Ekonomi/Biznes, për studentët me rezultatet më të mira që do të regjistrohen në departamentin e Financës dhe Biznesit. Po kështu, ata prezantuan dhe programin e kredive që kjo bankë ofron, me kushte lehtësuese për studentët që janë në vështirësi financiare. Aplikimet për këto bursa bëhën pranë sekretarisë së Universitetit "Marin Barleti" deri në 6 tetor 2006, ndërkohë që përzgjedhja e fituesve bëhet nga një komision i vecantë, me përfaqësues nga sponsorizuesit dhe trupa akademike.