E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjerin Ndreu: “Drejtimi skandaloz politik po shpërfytyron Policinë e Shtetit”

Intervistë me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës

Thimi Samarxhiu

Pjerin Ndreu, një prej figurave më të spikatura të Policisë shqiptare në vite, në një intervistë për gazetën “Albania” analizon shkaqet se përse është rritur në shifra të frikshme trajektorja e kriminalitetit në vend dhe se si drejtuesit politikë të Ministrisë së Brendshme po rrënojnë çdo ditë profesionalizmin e uniformave blu. Ndreu flet dhe për vrasjen e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi, mefshtësinë në zbardhen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe masat që duhet të marrë Policia për të vënë në kontroll krimin, i cili çdo ditë po e sfidon në mënyrë arrogante shtetin.

Nga të gjitha statistikat e fundit të publikuara si nga Policia, ashtu dhe nga Prokuroria, vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të vjedhjeve si me dhunë, ashtu dhe me armë. Si e shpjegoni ju rritjen e këtij fenomeni?

Është fenomeni i zonave urbane të mbipopulluara që po ndodh dhe këtu te ne. Janë pasojat e një politike pa ide e perspektivë që i është bërë lëvizjes demografike të njerëzve. Nëse do ta vërejmë këtë fenomen me kujdes, vihet re qartë se krimi i vjedhjes ka marrë përmasa të frikshme në zonat e mbipopulluara urbane. Ka ardhur kohë që të bëhen studime duke bërë dhe specifikimin e krimit të zonave urbane dhe atyre rurale. Teori që i njeh gjithë bota dhe që te ne nuk dëgjohen fare. Mbi bazën e këtyre studimeve ndërtohen dhe strategjitë efikase për parandalimin e tyre.

Grabitësit tashmë veprojnë në mes të ditës dhe nuk arrihen të identifikohen dhe të prangosen nga ana e Policisë. Kjo mund të përkthehet si një perfeksionim i krimit, apo si një papërgatitje e strukturave të Policisë për të vepruar në kohë?

Fakti që veprojnë në mes të ditës nuk është pozitiv për situatën e rendit dhe të qetësisë. Duhet të rishikohet shpërndarja e forcave policore, sidomos në qytetet e mëdha, në akset me lëvizje të dendur automjetesh, në zona të përcaktuara si problematike, në vende ku institucionet financiare janë më të pranishme, duke bashkëpunuar dhe me institucione të tjera. Sistemi i thithjes dhe përpunimit të informacionit dhe i shërbimeve të hapura të policisë duhet të jetë më i orientuar drejt zonave ku krimi ka shfaqur tendenca rritjeje. Duhet gjithashtu një kontroll më i saktë i kontingjentit të krimit duke i kushtuar kujdes në fillim evidentimit dhe më pas mbajtjes në kontroll policor të tyre. Pra ka ardhur koha të vlerësohet më mirë kjo situatë, e cila ka tendencë të agravohet.

Agresiviteti me të cilin krimi po sulmon nuk merr të njëjtën përgjigje nga Policia. Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë gjë?

Mendoj se më parë se çdo gjë duhet të mendohet për sistemin e masave parandaluese ku interferojnë shumë institucione shtetërore e joshtetërore, por dhe vetë individi. Pra duhet synuar më shumë te masat parandaluese. Ndoshta në Tiranë, ku është më evident krimi i vjedhjes, duhet parë më mirë rikonceptimi i forcave policore që e thamë më lart, sepse mendoj se ka mangësi. Si pasojë nuk realizohet dhe goditja e duhur.

Kanë kaluar gati 10 muaj që nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Edhe pse shpeshherë, krerë të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme kanë deklaruar se janë shumë afër arrestimit të autorit, ende nuk ka asnjë përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë. Cili është komenti juaj për këtë gjë?

Nuk e kuptoj stresin që ka sot drejtimi politik i Ministrisë së Brendshme dhe policor në trajtimin si vrasje politike. Sepse në të gjithë botën, nëse vritet një deputet, versioni politik është i pari. Është skandaloze që sapo ndodhi ngjarja e vrasjes së deputetit, më shumë se me elementet e vendngjarjes dhe trajtimin e versioneve, u investua në publikimin e fakteve se vrasja nuk është me motive politike. Për çfarë motivesh ishte atëherë? Për sa kohë nuk ka një motiv dhe një autor, unë si qytetar kam të drejtë të ngre versionin politik. Dhe moszbulimi i kësaj vrasjeje rëndon mbi profesionalizmin e strukturave të Policisë. Shpresoj që kjo ngjarje të marrë rrugë sa më shpejt.

Lista e krimeve të pazbardhura ende është shumë e gjatë, duke filluar që nga vrasja e Aleks Kekës në Malësi të Madhe, për të vazhduar te vdekja misterioze e Kosta Trebickës, për të cilën doli një version përfundimtar, por që ka ende dyshime dhe, për ta mbyllur me një sërë krimesh të ndodhura kohët e fundit, të cilat ende nuk kanë një person përgjegjës. Ku çalojnë hetimet për këto çështje?

Nuk mund të them me saktësi se në çfarë faze janë hetimet e këtyre ngjarjeve. Por, deklarata e Policisë pa u bërë akoma këqyrja e vendit të ngjarjes, në rastin e vrasjes së Aleks Kekës, ka qenë skandaloze. Është hera e parë që bëhen deduksione të tilla pa mbaruar këqyrja e vendit të ngjarjes, çka tregon se politika i ka futur kthetrat mirë në Policinë e Shtetit dhe orienton deklarimet nga profesionale në politike. Është për të ardhur keq. Po kështu dhe në rastin e Trebickës. Me çfarë të drejte kryeministri dhe ministri i Brendshëm jepnin konkluzione të hetimeve që në fillim të tyre dhe pa miratimin e Prokurorisë, që është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale, drejton hetimet, mbron akuzën etj.? Nuk i marr vesh këta politikanët tanë se si, pa pikë turpi, marrin dhe interpretojnë probleme teknike profesionale dhe japin konkluzione përfundimtare hetimesh pa filluar mirë hetimi.

Si e komentoni debatin më të fundit mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë për rolin dhe vartësinë e oficerëve të Policisë Gjyqësore?

Megjithëse nuk e kam ndjekur debatin, nuk mund të ketë asnjë ekuivok; është Prokuroria ajo që është përgjegjëse dhe drejtuese e vetme e Policisë Gjyqësore për të gjitha veprimet procedurale që nga marrja dijeni e kryerjes së veprës penale dhe në vazhdim.

Vetëm pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e tij lidhur me Shqipërinë. Në këtë raport, vend kryesor zinte korrupsioni i zyrtarëve, të cilët fshihen pas imunitetit, por dhe trafiku i drogës. Edhe pse qeveria ka marrë një sërë masash për parandalimin e këtyre fenomeneve, sërish numri i tyre është i lartë. Çfarë duhet të bëjë më shumë Policia e Shtetit për parandalimin e këtyre krimeve?

Edhe njëherë theksoj së kurrë masat parandaluese nuk mund të jenë atribut vetëm i Policisë. Duhen strategji për luftën kundër krimit të organizuar dhe që i bën qeveria. Policia është një nga aktorët e rëndësishëm të një strategjie antikrim, por kurrë e vetme. Nëse nuk do të organizohet një sistem i organizuar me shumë aktorë, perspektiva e luftës antikrim është e turbullt. Nga ana tjetër, niveli i lartë i korrupsionit është ushqim për krimin e organizuar, sepse lejon depërtimin e parasë së pistë në ekonominë kombëtare duke e legalizuar pikërisht nëpërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit që janë të korruptuar. Pra, për sa kohë kemi nivel të lartë korrupsioni, problematika e krimit të organizuar do të jetë prezente.

Dhe së fundi, si e shihni situatën aktuale të Policisë së Shtetit dhe cilat janë problemet që ajo mbart?

Policia e Shtetit duhet të rikthejë hapat pas që ka bërë në drejtim të politizimit të saj. Janë ca veprime policore të fundit që kanë dhëne mesazhe alarmante. Gjithashtu duhet të vlerësohet më shumë profesionalizmi i punonjësve të Policisë, dhe jo të injorohet me reforma pa princip dhe futje në radhët e Policisë së elementeve problematike dhe joprofesional. Duhet të përmirësohet ndjeshëm performanca në rrugë duke pozicionuar policinë në zbatimin të ligjit, si dhe kërkesës për zbatim ligji njëlloj nga të gjitha shtresat e popullatës, përfshi dhe ata me potencë politike e ekonomike, të cilat fatkeqësisht janë jashtë kontrollit të ligjit. Ka ardhur koha që Policia të jetë më transparente në sytë e publikut, të flasë dhe për dobësi e jo vetëm për arritje. T’u tregojë qytetarëve të vet së në 2005-n raportoheshin rreth 8200 krime në vit, ndërsa në 2009-n raportohen 13 000.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›