E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret; Digjen 30 ha sipërfaqe, rrezikohen disa shtëpi

Në tentativë për të krijuar kullota të reja apo dhe për t’u vënë flakën kashtës së mbetur në arat e korrura të grurit, banorët janë duke rrezikuar seriozisht jo vetëm pyjet dhe ullishtet, por edhe banesat e tyre. Një gjë e tillë supozohet paraprakisht të ketë ndodhur edhe në fushat e Terihatit, 20 km larg Gjirokastrës, ku pas kashtës në ara, zjarri është përhapur me shpejtësi më tej, duke shtrirë në dy fshatra sipërfaqen e përfshirë nga flakët, ndërkohë që banesat janë rrezikuar seriozisht. Zjarr i fuqishëm ka rënë pasditen e djeshme në dy fshatra në Komunën e Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër, duke bllokuar për pak kohë edhe autostradën Gjirokastër-Kakavijë. Flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi të favorizuara edhe nga era, kanë vënë në panik banorët, të cilët të alarmuar kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit kur kanë parë që ai po u afrohej banesave të tyre. Në vend kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikëse, të cilat kanë punuar disa orë për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, si dhe vënien e situatës nën kontroll, ndërkohë që një pjesë e tyre është evakuuar nga banesat. Saranda dhe Tepelena duket se janë treguar të gatshme për t’i ardhur në ndihmë zjarrfikëseve për të fikur zjarrin. Sipas burimeve policore, zjarri është problematik në fshatin Terihat dhe Gorricë. “Në fshatin Gorricë janë rrezikuar seriozisht disa shtëpi, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, situata duket më e qetë”, - thanë burimet policore. Ndërkohë është rrezikuar edhe një fabrikë e prodhimit të kartë-pecetave që ndodhet në autostradë. Të dhënat e para flasin për një sipërfaqe prej më shumë se 30 ha të shkrumbuar nga flakët. Sipërfaqja mësohet se ka qenë me kullota dhe kryesisht shkurre. Ende nuk mund të thuhet asgjë për shkakun e zjarrit, pasi grupi i ekspertëve duhet të presë normalizimin e situatës për të ndërhyrë për hetime. Po ashtu, policia është duke hetuar për gjetjen e autorit të zjarrit. Policia e Gjirokastrës, e cila ishte në vendin e ngjarjes, dyshon se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme, pasi banorët e zonave djegin në këtë periudhë sipërfaqe kullosore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›