Qesharake! Në Argjentinë zyrtarët barazohen me lojtarët
E të mendosh se Kuzhe mezi i grumbulloi 18 lojtarë për t’i çuar në Buenos Aires. E të mendosh se të gjithë emrat “big” të kuqezinjve i kthyen shpinën një miqësoreje të madhe, por të ardhur në një moment të papërshtatshëm pasi luhet të hënën më 20 qershor, një ditë që nuk ka lidhje fare me futbollin në botë, pasi nuk është një datë e lirë e FIFA-s, por që për Argjentinën do të thotë shumë, pasi ka përvjetorin e flamurit të saj. Kështu, parë të gjitha rrethanat e mundshme për të përjetuar festë dhe përderisa të gjitha i paguan federate argjentinase, atëherë o burra: Vamos todos a Buenos Aires! Janë 18 lojtarë që u grumbulluan si ujët e pakët dhe plot 17 të tjerë si shpurë për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë… Në vendin e tangos ia vlen të shkohet, edhe pse aty aktualisht është ftohtë, pasi dimri në hemisferën e jugut përjetohet në muajt qershor, korrik e gusht, ndërsa vera në dhjetor, janar e shkurt. Aktualisht temperatura është 10 gradë më e ulëta dhe 16 më e larta, po kështu do të jetë edhe të hënën. Valixhet me rrobat e lehta të zyrtarëve nuk do të bëjnë shumë punë, ndërsa ndonjëri kishte çuar në mend edhe të bënte plazh…
Udhëtimi
Ekipi përfaqësues i Shqipërisë ka lënë dje në mesditë me një avion të linjës aeroportin “Nënë Tereza” me destinacion Romën. 35 anëtarët e delegacionit do të presin gjatë në aeroportin e kryeqytetit Italian për avionin tjetër me destinacion “Buenos Airesin”. Pas disa orësh tranziti, skuadra do të niset në mbrëmje drejt Argjentinës me një tjetër avion linje. Udhëtimi do të zgjasë plot 13 orë. Shqipëria do të mbërrijë në Buenos Aires, vetëm paraditen e nesërme me orën e Tiranës dhe në mëngjes herët me orën vendase. Do të ketë dy ditë stërvitje para takimit që do të zhvillohet.
Orari i ndeshjes
Ndeshja miqësore mes yjeve të Argjentinës dhe Shqipërisë do të luhet të hënën në orën 18:15, por që në orën tonë lokale i bie në orën 23:15. Ky orar i jep mundësinë të gjithë tifozëve kuqezi që të ulen para televizorit dhe të shijojnë emocione. Ylli i futbollit botëror Lionel Mesi do të jetë kundërshtari i kombëtares sonë, por dhe yjeve të tjerë në stadiumin “Monumental” të Buenos Aiersit. Edhe pse me lojtarë rezervë, Shqipëria duhet të luajë një ndeshje të mirë e të mos kthehet në Tiranë me një thes me gola me vete.