“Wembley” pritës i finalës 2012-13
“Wembley” kthehet në shtëpinë e Ligës së Kampioneve. Pasi priti finalen e fundit të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian për klube mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid, në stadiumin legjendar anglez do të zhvillohet edhe finalja e vitit 2013. Përpos kritikave të shumta në lidhje me çmimin e shtrenjtë të biletave, UEFA ka vendosur t’i besojë sërish “Wembley” për sezonin 2012/2013 të Champions. Ky vendim është sqaruar nga vetë presidenti i qeverisë europiane të futbollit, Mishel Platini që e ka cilësuar atë si një dhuratë që i bëhet Federatës Angleze të Futbollit për 150 vjetorin e krijimit të saj. "Ne menduam se është një detyrë t’i japim sërish “Wembley” organizimin e finales së Ligës së Kampioneve në 2013, vit ky që përkon me ditëlindjen e 150-të të Federatës Angleze. Është shumë e rëndësishme për ne që ta respektojmë këtë fakt”, ka thënë Platini. UEFA ka përcaktuar edhe stadiumet që do tëp resin finalet e kompeticioneve të tjera të rëndësishme të futbollit europian për klube. Kështu, finalja e Ligës së Europës për vitin 2013 do të zhvillohet në “Amsterdam Arena”, ndërsa Platini ka mbajtur premtimin për të spostuar në lindje Superkupën e Evropës. Në vitin 2013 ajo do të zhvillohet në Pragë, ndërsa vit pas viti do të udhëtojë në vende të tjera të lindjes.