Qetë në Siri
"Një orë pas skadimit të ultimatumit, situata është e qetë në të gjitha rajonet”, konfirmoi kreu i organizatës siriane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Rami Abdel Rahman për agjencinë AFP.
Edhe agjenci Reuters njoftoi të enjten për respektimin e afatit për ndërprerjen e zjarrit mes palëve, me qëllim të ndaljes së gjakderdhjes 13- muajsh në Siri. Sipas Reuters, të enjten nuk është shënuar asnjë lloj dhune.
Banorët e krahinave jo të qeta të Sirisë, Homs, Hama dhe Idlib, të cilat gjatë javës së kaluar kanë përjetuar granatime të vazhdueshme nga ana e forcave ushtarake të regjimit në Damask, të enjten në mëngjes deklaronin se që nga ora gjashtë e mëngjesit situata është e qetë.
Paralelisht, një aktivistë i paemëruar sirian konfirmoi për agjencinë Reuters se situatë e qetë mbretëron dhe në Damask.