Lista e deputetëve, KQZ shtyn 24 orë afatin
Bledar Hoti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyn afatin e depozitimit të listës së kandidatëve për deputetë nga ana e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli bëri të ditur për “Panorama” se afati i fundit zyrtar është i depozitimit të dokumenteve nga ana e kandidatëve për deputetë është data 19 maj, ora 16.00. KQZ-ja kishte përllogaritur më parë edhe datën 31 maj. Në bazë të Kodit, lista shumë-emërore e kandidatëve për deputetë duhet të paraqitet jo më vone se 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje i bie afati i fundit ligjor të jetë data 19 maj. Kjo “ngatërresë” e KQZ-së i ka krijuar mundësi partive politike të jenë më të lehtësuara për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave dhe plotësimit të dokumenteve të parashikuara për t’u paraqitur zyrtarisht pranë KQZ-së. Partitë kryesore politike ende nuk kanë finalizuar listën e plotë të 140 kandidatëve për deputetë. Ndërsa kanë kohë edhe 24 orë për të reflektuar, partitë duhet të plotësojnë kriterin e respektimit të barazisë gjinore. Në bazë të udhëzimit të KQZ-së, me numër 33, “në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumëemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës duhet ti përkasë secilës gjini”. Ndërsa kandidati për deputet duhet të firmosë vetëm një deklaratë, në të cilën shpreh vullnetin për t’u përfshirë në listën shumëemërore të subjektit politik. Në bazë të udhëzimit, nr.33, kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumëemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. KQZ-ja ka miratuar disa modele formularësh për kandidatët për deputetë, si për ato që mbështeten nga zgjedhësit dhe partitë politike. Formulari numër 3 për kandidatët që mbështeten nga partitë politike, përmban kërkesën për të pranuar kandidimin. Kandidati duhet të shkruajë me germa kapitale emrin, atësinë, dhe mbiemrin e tij, numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit elektronik. Të dhënat duhet të plotësohen vetëm sipas dokumentit të identifikimit. Në bazë nenit 68 të Kushtetutës, pika 1, “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumë-emërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës”. Ndërsa në nenin 69 të Kushtetutës sanksionohet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: “gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve dhe Presidenti dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.