Zbardhen emrat e kreut të listës së PD për Tiranën
Kryesia e PD-së pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme dhe paradites së nesërme përpara se përfaqësuesi i selisë blu në KQZ të dorëzojë në protokollin e këtij institucioni emrat e 140 kandidatëve për deputetë. Në prag të skadimit të këtij afati, që është pikërisht të martën në orën 16:00, zbardhen disa nga emrat e kreut të listës së PD-së për kryeqytetin. Kryeministri Berisha do të kryesojë këtë listë, e cila përbëhet nga 32 emra. Pas tij pritet të jetë kryetari i ardhshëm i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi dhe e treta zëdhënësja e fushatës së selisë blu, Majlinda Bregu. Ndërkohë lista e demokratëve pritet të konfigurohet gjatë këtyre dy ditëve dhe të sigurt duket se janë vetëm emrat e parë në shumicën e qarqeve. Kështu në Durrës pritet që i pari në listë të jetë Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Dy nënkryetarët e PD-së, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, do të jenë përkatësisht të parët në qarkun e Shkodrës dhe në Vlorë. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherësh Ministër i Financave, Ridvan Bode do të jetë i pari në listën e qarkut të Korçës, ku katër vjet më parë mori mandatin e deputetit, ndërsa zv.kryeministri Genc Pollo pritet të kryesojë listën e Beratit. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli do të jetë sërish në Gjirokastër, ndërsa Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi pritet të jetë i pari në qytetin e Fierit. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha pritet të kryesojë qarkun e Elbasanit, ndërsa Jemin Gjana i pari në Dibër.