Biblioteka e Durrësit jep çmime për lexuesit më të mirë të vitit
Në një kohë të vështirë, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka vëmendjen drejt probleme të shumta ekzistenciale, ndërsa pjesa tjetër, për fat të keq, është e prirë që ta harxhojë kohën e lirë duke ndjekur spektakle televizive, reallity-show, filma e telenovela pa asnjë vlerë formuese dhe edukative, Biblioteka Publike e Durrësit ka arritur, në sajë të politikave e nismave të veta, që ta afrojë lexuesin e qytetit bregdetar. Madje kjo bibliotekë ka organizuar këto ditë edhe një ceremoni festive në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku u ndanë çmime për lexuesit më të mirë të vitit. Do të ishte mirë sikur edhe Biblioteka Kombëtare e kryeqytetit të ndiqte shembullin e këtij stimulimi origjinal ndaj lexuesit, e po kështu të vepronin të gjitha bibliotekat e tjera në rrethe. Por le të kthehemi te ngjarja. Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast në Pallatin e Kulturës së Durrësit morën pjesë studiues, letrarë dhe miq të librit, intelektualë, etj., të cilët janë dhe frekuentuesit më të shpeshtë të bibliotekës. Si “Lexuesja më e mirë e vitit 2008” u shpall studentja e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Elona Domi, ndërkohë që çmimin si “Lexuesja më e mirë e vitit 2008 për gjuhën angleze” e mori studentja e Universitetit UFO, Lorela Korriku. Gjithashtu, drejtoresha e Bibliotekës Publike të Durrësit, Flora Dervishi, ka ndarë disa certifikata mirënjohjeje, me të cilat u nderuan dr.Beniamin Çeta dhe Vasillaq Papaj. Dr. Çeta e mori këtë certifikatë për kontributin e tij qytetar pas aktit të dhurimit të bibliotekës personale në gjuhën franceze Bibliotekës Publike të Durrësit, ndërsa z. Papaj, si drejtor i Arsimit rajonal, u vlerësua për bashkëpunimin e mirë mes këtyre dy institucioneve. Organizatorët, veç çmimeve, dhuruan libra të ndryshëm për lexuesit më të dalluar të kësaj biblioteke, ndërkohë që gjatë zhvillimit të kësaj ceremonie të veçantë, punonjësja shkencore, Edlira Macaj, i jepte të ftuarve të dhëna mbi librat e antikuarit të bibliotekës së qytetit.
P. GROSI
24 Dhjetor 2008