E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia "në siklet", s‘ka dhoma zhveshjeje

Të nisesh për një punë jo të
lehtë, ashtu siç është policia
dhe mos të kesh vend
ku të veshësh uniformën,
kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Imagjino të jesh femër... Uniformat
blu tregojnë se një dhomë veshjeje
ndodhet edhe në vende, ku policia
nuk ka këto standarde, ndërsa në
vendin tonë, nuk është projektuar
asnjëherë. Fakti dramatik mësohet
nga efektivë të policisë, të cilët shprehin
shqetësimin e tyre, duke marrë
shkas edhe nga tërheqja e vëmendjes
prej eprorëve disa herë për
ruajtjen e etikës së policisë.
Punonjësit e policisë tregojnë se
çdo ditë u duhet të udhëtojnë,
mbase edhe nga një qytet në tjetrin
për të shkuar në punë. Të veshin
uniformën në çfarëdo kohe që të
dalin nga shtëpia. Të marrin rrugën,
të veshur si punonjës policie dhe
duke ruajtur seriozitetin, të bëjnë
edhe ndonjë punë personale, e më
pas të paraqiten në shërbim. Atje
duhet të shërbejnë për tetë orë
rresht, mbase edhe më shumë në
gjendje gatishmërie dhe më pas të
rikthehen prapë në shtëpi. Pavarësisht
se ata mund të kenë edhe
ndonjë punë personale për të kryer,
apo duan të qëndrojnë me shoqërinë,
nuk mund ta bëjnë këtë, pasi
kanë frikë se thyejnë etikën e policisë
e shefi i tyre mund të bëjë ndonjë
vërejtje. Duke u nisur nga ky
shqetësim, ata shpeshherë kanë
kërkuar me zë ose në heshtje dhoma
zhveshjeje. Pa zënë shumë
vend, ata kërkojnë një dhomë, ku
mund të zhvishen e ndonjë dollap
të vogël, ku të lënë rrobat e punës.
Por nga të dhënat e mbledhura rezulton
se kjo nuk mund të bëhet, pasi
në asnjë komisariat nuk ekzistojnë
kushte të tilla. Burimet policore
shpjegojnë se shpeshherë është
përfolur për një kusht të tillë, por
asnjëherë nuk është ndërmarrë
ndonjë hap për të mos e lënë vetëm
në kuadrin e diskutimeve. Madje,
edhe me rikonstruksionin e disa godinave
të policisë, nuk është bërë
një gjë e tillë. E vetmja godinë, që ka
kushte të tilla, është ajo ku stabilizohet
reparti special RENEA.
Megjithatë, shqetësimi më i
madh qëndron edhe te femrat, që
punojnë në Policinë e Shtetit. Veç
atyre, të cilat apo të cilët kanë zyra
sektorësh e seksionesh, gjithë të
tjerët nuk kanë mundësi të veshin
uniformën kur paraqiten në punë,
ose ta heqin kur mbarojnë turnin e
shërbimit. Edhe kjo kategori përdor
zyrën personale për të bërë një ndërrim
të tillë të rrobave, pavarësisht se
rrallëherë u bie që të veshin uniforma,
pasi pjesa dërmuese e personave
në zyrë, qëndrojnë me veshje
civile. Dëmi më i madh shkaktohet
sidomos te nënoficerët apo oficerët
e Patrullës së Përgjithshme. Struktura
e re, që u krijua rreth një vit më
parë, hyri me një imazh tjetër, por në
të vërtetë nuk ka një dhomë zhveshjeje,
me qëllim që të nderojnë
uniformën që mbajnë veshur.
Megjithatë, ky nuk është problemi i
vetëm i policisë, pasi ende mbeten
pa zgjidhje edhe shumë çështje të
tjera. Shpeshherë, në media janë ngritur
problemet e policisë për dhënien
e shpërblimeve, orëve të natës, apo
edhe problemi që shumë punonjës
policie nuk kanë me se të kthehen
pranë familjeve të tyre kur mbarojnë
punën, pavarësisht se ligji ka parashikuar
mjete në shërbim të tyre.

Policët, në shtëpi me makina të rastit

Herë pas here, uniformat blu janë ankuar edhe për
rrugët e gjata për të shkuar në punë. Shumë prej
tyre udhëtojnë nga qyteti në qytet dhe duhet të përdorin
makina personale, pasi shteti nuk u jep asgjë. Ndërsa
në vendimet e qeverisë deklarohet se kur një oficer
policie shërben në një qytet, ku nuk ka vendqëndrim,
atij i hiqen disa nga shpenzimet personale. Nga ana
tjetër, çdo natë mund të shohim uniforma blu, duke
kërkuar edhe makina të rastit për të shkuar në shtëpi.
Sipas policisë, në disa raste, ky problem është zgjidhur,
por ende mbetet për t‘u zgjidhur çështja e policisë
rrugore, apo e patrullave të përgjithshme.

Rregullorja, masa për policët e çrregullt

Një pikë e fortë e kërkuar nga drejtuesit e policisë
ka qenë edhe paraqitja dinjitoze e punonjësve
të policisë dhe me standarde të reja. Madje, për një
imazh më të mirë të policisë, tashmë po bëhen edhe
uniformat e reja të saj, sipas një projektimi italian.
Në rregulloren e saj të personelit, policia i ka kushtuar
nene të veçanta sjelljes me etikë të punonjësit të
policisë, ku parashikohen edhe masat administrative
për ata që i shkelin. Raste të tilla janë regjistruar
shpesh nga eprorët e policisë, megjithëse nuk kanë
qenë shumë flagrante dhe "autori", ka kaluar me
ndonjë masë të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›