Qeveri-KQZ, marrëveshje bashkëpunimi për mbarëvatjen e zgjedhjeve të 28 qershorit

Në bazë të këtij memorandumi bashkëpunimi qeveria do të mbështesë dhe do t’i garantojë KQZ-së sigurimin e ambienteve të nevojshme për KZAZ-të dhe VNV-të, duke përfshirë kushte të përshtatshme për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave si dhe për sigurimin e linjave të komunikimit, sigurimin e ambienteve për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së.
Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kanë nënshkruar dje paradite një memorandum bashkëpunimi për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009. Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve memorandumin e nënshkruan kryetari, Arben Ristani dhe zëvendëskryetarja, Dëshira Subashi ndërsa qeveria përfaqësohet nga
Ministri e Brendshëm, Bujar Nishani. Ky i fundit vlerësoi se me nënshkrimin e këtij memorandumi, dikasteri që ai drejton do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institucionet kryesore, kryesisht me të gjitha
njësitë vendore, komunat dhe bashkitë e vendit, për të pasur një proces me standardet e kërkuara jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga legjislacioni në fuqi. Ndërkaq
kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, vlerësoi se ky memorandum formalizon bashkëpunimin që ka nisur prej muajsh dhe që do të vazhdojë deri në përfundim të procesit zgjedhor, e ndërkohë duke veçuar bashkëpunimin shumë të mirë me Ministrinë e Brendshme theksoi se krijimi i Regjistrit Kombëtar të Shtetasve është
një risi që jo vetëm do të ndikojë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por edhe
do t’u shërbejë qytetarëve në çdo moment. “Unë mendoj se ky bashkëpunim do t’i japë Shqipërisë zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, të cilat janë të pritshme për të gjithë”, u shpreh Ristani. Në bazë të këtij memorandumi bashkëpunimi qeveria do të mbështesë dhe do t’i garantojë KQZ-së sigurimin e ambienteve të nevojshme për KZAZ-të dhe VNV-të, duke përfshirë kushte të përshtatshme për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave si dhe për sigurimin e linjave të komunikimit, sigurimin e ambienteve për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së, angazhimin e strukturave në varësi të Këshillit të Ministrave për transportin e bazës materiale zgjedhore, nga KQZ-ja në KZAZ-të, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe anasjelltas. Gjithashtu Ministria e Brendshme ngarkohet të mbikëqyrë përmbushjen e angazhimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në këtë Memorandum, nga të gjitha institucionet
në varësi të Këshillit Ministrave dhe nga organet e qeverisjes vendore. Në këtë
kuadër prefektët, mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në aktet e KQZ-së, bashkërendojnë realizimin e detyrave të parashikuara në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore si dhe
në këtë memorandum në të gjithë territorin e juridiksionit administrativ përkatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në këtë memorandum bashkëpunimi duhet t’i sigurojë Këshillit të Ministrave dhe të gjithë institucioneve në varësi të tij, në kohën e nevojshme, informacionin e duhur për të lejuar përmbushjen e angazhimeve, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.