E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri në dietë, kabinet këshilltarësh i “majmë”

Kryeministri fryn kabinetin e këshilltarëve në prag të zgjedhjeve . Qeveria ka 14 ministri, kryeministri 20 këshilltarë dhe ndihmës

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha duket se e ka mbajtur premtimin e bërë në 2005-n për një qeveri në dietë, por nga ana tjetër ka krijuar një kabinet të “majmë” këshilltarësh dhe ndihmësish. Ndërkohë që qeveria përbëhet nga 14 ministra, kabineti i kryeministrit përbëhet nga 20 këshilltarë dhe ndihmës, duke përjashtuar zyrën e shtypit dhe ndihmësit e zëvendëskryeministrit. Në vitin 2005, qëllimi i ngritjes së një qeverie të vogël ishte ulja e shpenzimeve në buxhetin e shtetit, ndërkohë që paga e këshilltarëve të kryeministrit mund të thuhet se është një pagë e majme në krahasim me nëpunësit e tjerë të administratës shtetërore. Disa nga këshilltarët e kryeministrit janë të rinj dhe, sipas burimeve nga PD-ja, një pjesë e mirë e tyre do të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e qershorit.
Këshilltarët
Kryeministri Berisha ka një kabinet prej 20 këshilltarësh dhe ndihmësish. Drejtor kabineti është Arben Imami, më pas vjen zëdhënësja për shtyp e kryeministrit Juela Meçani, drejtor Informacioni Grid Rroji, Kujtim Xhani shef i Protokollit. Pjesa tjetër janë këshilltarë për çdo fushë. Kështu, kryeministri ka tre këshilltarë vetëm për Çështjet Ekonomike: Selami Xhepa, Petraq Milo e Suzana Guxholli. Berisha ka këshilltar për Rendin e Sigurinë, këtë post e mban Avenir Peka; Admir Drago është këshilltar për Çështje Ligjore; Fatbardh Kadilli, këshilltar për Antikorrupsionin; Flamur Kuçi, këshilltar për Çështje të Territorit dhe Pronave; Glori Husi, këshilltar për Integrimin Euroatlantik; Myqerem Tafaj, këshilltar për Arsimin. Por në kabinetin e kryeministrit ka dhe këshilltar për Shoqërinë e Informacionit, post që mbahet nga Pjerin Marku. Në kabinet gjithashtu ka këshilltar për Bujqësinë, post që mbahet nga Valdete Vorpsi; Ylli Asllani mban postin e këshilltarit për Pushtetin Vendor; Enkelejda Patozi, këshilltare për Çështjet e Ujit, si dhe tre ndihmësit e kryeministrit, Edlira Hyka, Edvin Kulluri dhe Endira Bushati, funksioni i të cilëve nuk cilësohet. Disa prej këshilltarëve të kryeministrit janë shtuar gjatë mandatit qeverisës. Sipas burimeve nga Kryeministria, shumica e tyre do të jenë në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e ardhshme të qershorit.
Ministritë
Ajo që bëri kryeministri Berisha, ndryshe nga qeveria e mëparshme e ish-kryeministrit Nano, ishte tkurrja e kabinetit qeveritar, duke bashkuar disa ministri në një të vetme. Berisha krijoi Ministrinë e Brendshme, në të cilën u bashkua Ministria e Rendit dhe ajo e Pushtetit Vendor. Krijoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, duke i bashkuar të dy këta dikastere në një të vetme. Ka hequr dy portofole ministrash shteti që ekzistonin gjatë qeverisë së socialistëve. Ka bashkuar në një të vetme Ministrinë e Transporteve me atë të Rregullimit të Territorit. Qeveria socialiste ka pasur 19 portofole ministrore, ndërsa Berisha ka një qeveri me 14 të tilla.

e

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›