E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri për shqiptarët, jo Qeveria ime

>Nga Teki KOKA
Shqiptarët sidomos në këto vitet e fundit e kanë dëgjuar me tepri z. Berisha që të deklarojë me krenari për ekzekutivin Qeveria ime. Pa diskutim, deklaratë e guximshme e një kryeministri në një vend demokratik dhe përpara një populli që ka provuar diktaturën më të egër në rajon. Sigurisht qeveria aktuale është qeveri vetëm e z. Berisha dhe kjo mund të provohet lehtësisht, mjafton që ti referohesh vetëm skandalit të Gërdecit, ku të gjitha institucionet e shtetit heshtën, nuk ekzistonin e nuk funksiononin. Patjetër justifikimi i z. Berisha pas skandalit të Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 qytetarë, një fshat i tërë i shkatërruar, biznese e vlera pasurore të pallogaritshme, se unë nuk dija asgjë kur biznesi menaxhohej direkt nga qeveria, jo vetëm tregon injorancë, papërgjegjshmëri, imoralitet, por është një demaskim i vetvetes dhe tregon se i gjithë kabineti qeveritar ishte paralizuar dhe i detyruar që të zbatonte vetëm urdhërat e tij dhe jo ligjin. Kështu: Ministria e Jashtme - Ka propaganduar me çdo mjet performancen e qeverisë tek partneret evropianë dhe aleati kryesor U.S.A, në luftën kundër korrupsionit dhe sidomos z. Berisha, për të siguruar mbështetjen dhe larguar çdo dyshim ndaj tij për shfrytëzim posti dhe për të forcuar besimin tek ai një antikorrupsionist i paepur. Ministria e Mbrojtjes - Kundër ligjit ndryshoi kontratën e nënshkruar me U.S.A, e riorganizoi aktivitetin me një firmë fantazëm për të rritur më shumë vlerën financiare të biznesit të M. M (qeverisë ), duke zgjedhur aty persona shumë të afërt të kryeministrit. Ministria e Brendshme- Kundër ligjit siguronte ruajtjen e fabrikës dhe biznesit të qeverisë për demontimin e municionit luftarak të ushtrisë në fshatin Gërdec 5 km larg aerodromit ndërkombëtar të Rinasit, për të zvogëluar sa më shumë humbjet, e rritur sa më shumë fitimet. Ministria e Punës- Kundër ligjit fshehu biznesin qeveritar në fshatin e Gërdec, lejoi aktivitetin e paligjshëm e nuk siguroi qindra punëtorë të fabrikës së vdekjes. Ministria e Financës- Kundër ligjit nuk regjistroi dhe nuk kontrolloi asnjëherë biznesin duke përjashtuar subjektin (qeveri) nga çdo detyrim tatimor për të mos zvogëluar fitimet.
Ministria e Ekonomisë- Kundër ligjit nuk regjistroi biznesin e qeverisë për të liberalizuar tregun, luftuar informalitetin dhe monopolet. SH.I.K- Kundër ligjit nuk raportoi tek Kryeministri asgjë, lejoi, mbështeti dhe siguroi biznesin e qeverisë nga mafia. SH.I.U- Kundër ligjit fshehu biznesin e Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e municionit të ushtrisë në fshatin Gërdec duke mos evidentuar e raportuar asgjë tek eprorët direkt duke siguruar biznesin nga populli civil. Pushteti Vendor- Kundër ligjit bashkia Vorë, subjekt i PD nuk kontrolloi asnjëherë aktivitetin e qeverisë për të mbështetur biznesin, pasi ajo i caktoi në këto poste. Sigurisht një qeveri e tillë që punon vetëm për vete duhet të dorëhiqet menjëherë dhe të gjithë titullarët të ndiqen penalisht si qeveri antipopullore dhe antikombëtare. Padyshim në demokraci, çdo qeveri e kompozuar mbi bazën e votës së shumicës e dalë nga zgjedhje demokratike, të lira, të ndershme dhe e votëbesuar në parlamentin legjitim me programin e saj elektoral politik, për një mandat katërvjeçar, jo vetëm është legjitime, por duhet të punoj me përkushtim për popullin. Në të kundërt, kur ajo i shmanget programit, prioriteteve me të cilin është votëbesuar, kur ajo abuzon me pushtetin dhe votën e marrë nga elektorati, shpërdoron besimin e tyre, atëherë ajo nuk mund të quhet demokratike dhe me të drejtë vihet në dyshim legjimiteti i saj. Sigurisht një qeveri quhet demokratike dhe në shërbim të popullit, kur ajo punon dhe lufton me përkushtim për të plotësuar sa më shpejt standardet e jetës së tij nga njeri vit në tjetrin, nga një mandat në tjetrin dhe jo të shënojë regres. Por realiteti shqiptar dhe sidomos qeverisja aktuale, në këtë mandat është zhgënjyese dhe as që bëhet fjalë për standarde. Pasi shqiptarët, edhe pse kaluan 20 vite demokraci nuk kanë siguruar as kushtet minimale jetike si: uji, drita, punësim, lëvizje të lirë e siguri për jetën. Ndërsa standardet jenë siguruar vetëm për politikanë,  të cilët kanë punuar për vete kundër interesave kombëtare dhe kanë mashtruar popullin me demagogji. Në këto kushte i takon vetëm popullit, që të rrëzojë këtë qeveri me votën e tij, e të zgjedhë një qeveri tjetër edhe pa plotësuar mandatin jo si Qeveria ime që punon vetëm për kryeministrin, për të zvogëluar vuajtjet e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›