E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi im është rast unikal që ka shokuar ndërkombëtarët

>Aleksandër Biberaj: Topalli shpif për biletat

-Ju z.Biberaj keni marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Uashington për fitoren e Barak Obamës?
Natyrisht që fitorja erdhi pas një fushate elektorale 2 vjeçare dhe pas fitores së Barak Obamës në zgjedhjet e 4 nëntorit. Mendoj që Amerika tregoji edhe një herë që është vendi më demokratik në botë. Është një vend që përfaqëson një shoqëri pa paragjykime, një shoqëri të lirë, një shoqëri demokratike, një shoqëri ku respektohet kushtetuta dhe ligjet e vendit. Dhe natyrisht rezultati ishte në favor të Barak Obamës që është një politikan i ri, një politikan që ka arritur realisht të pushtojë zemrat e amerikanëve dhe rezultati ishte me rezultat më të mira që ka pasur historia e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Siç dihet është pritur shumë mirë fitorja e Obamës në përgjithësi në politikën botërore dhe mendoj që po fryn një erë e re jo në politikën amerikane, por në politikën botërore, pasi rasti i Obamës, unë mendoj që do të jetë një rast që historia do të shkruajë shumë dhe njëkohësisht do të jetë një rast që do të frymëzojë shumë në botë lëvizjet politike për të kopjuar këtë model jashtëzakonisht të mirë politik.
-Ndërkohë, mediat në Shqipëri kanë botuar një mesazh që juve iu është dërguar nga presidenti Barak Obama, bëhet fjalë për një rutinë protokollare apo një marrëdhënie e veçantë që ju keni presidentin amerikan apo dhe stafin e tij?
Unë normalisht kam kohë që kam pasur kontakte me presidentin dhe me stafin e tij që gjatë fushatës elektorale. Kemi shkëmbyer e-maile, shkëmbimin e mendimeve të ndryshme dhe në këtë pikë mendoj që nuk ka qenë thjesht një rutinë. Dihet që politika amerikane është shumë e hapur, transparente. Është absolutisht politikë bashkëpunuese, aq më tepër që unë kam edhe mandatet që absolutisht më kanë lejuar që në marrëdhënie me SHBA në një farë mënyre të përfaqësoj dhe Europën.
-Ndërkohë që ju ishit në Uashington për të ndjekur ceremoninë e inaugurimit mediat kanë njoftuar lajmin për shkarkimin e postit tuaj nga kreu i delegacionit në Këshillin e Europës. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Realisht sinjali i parë më ka ardhur nga gazetarët, të cilët më kanë pyetur. Ka qenë një surprizë, një gjë absolutisht e paparashikueshme dhe nuk e kam besuar në momentet e para. Jam përpjekur të kontaktoj me kryeministrin dhe njëkohësisht kryetarin e PD, z.Sali Berisha nuk kam arritur të kontaktoj. I kam dërguar mesazh znj.Topalli dhe z.Patozi për të marrë një konfirmin zyrtar. Nuk kam pasur asnjë përgjigje. Pastaj jam lidhur me Strasburgun nga ku jam informuar se para disa ditësh është dërguar një shkresë, e cila kërkon zëvendësimin tim si kryetar, anëtar, përfaqësues në delegacion. Pra, është një përjashtim nga të gjitha fushat që unë mbaj në samitin parlamentar të Europës. Unë mendoj që është një veprim aspak i denjë, është një veprim që na kujton kohët e vjetra. Një veprim që kryhet në një konspiracion të plotë dhe ajo që është e më e rëndësishmja është që është shkelur rregullorja e kuvendit. Nuk është kompetencë e spikeres të parlamentit për ndryshim rregulloreje në delegacion.
-Çfarë parashikon rregullorja në këtë rast?
Rregullorja parashikon që Kryetarja konsultohet me kryetarët  e grupeve në mënyrë që përbërja të ketë edhe përfaqësimin politik dhe pastaj bëhet seanca e parë plenare gjë që nuk ka ndodhur, pasi seanca e parë është mbajtur në 19 janar dhe të bëhet me votim të hapur. Aq më tepër që mandatimi i këtij delegacioni është bërë po nga parlamenti në 2005. Pra, i njëjti mekanizëm që funksionon në emërim, i njëjti do të funksionojë edhe në shkarkim. Gjithsesi, unë akoma nuk kam një reagim zyrtar dhe mendoj se nuk ka pasur asnjë arsye për një sjellje të tillë tepër brutale, e cila nuk le vend edhe për etikë parlamentare. Sepse dihet që edhe në marrëdhëniet parlamentare duhet të kem bashkëpunim. Në raste të tilla bëhet një takim, n.q.s ka rezerva për probleme të ndryshme bëhet takimi dhe menjëherë vendimi duke pasur parasysh edhe firmën e bashkëpunimit. Kjo nuk është një sjellje normale për një vend demokratik. Nuk bëhet fjalë për x, y,z. Unë mendoj që qeveria në vitin 2009 duhet të ketë disa parametra. Në historinë 6 vjeçare të Këshillit të Europës do të jetë rast unikal. Kryetari i Delegacionit pa asnjë lloj njoftimi të shkarkohet pa asnjë lloj argumentimi, motivacioni me justifikim që ngarkohet me detyrë tjetër gjë që nuk është e vërtetë, sepse unë nuk kam asnjë lloj oferte për detyrë tjetër. Por, thelbi kryesor është thyerja e rregullores dhe anashkalimi i kuvendit, marrja e kompetencave gjë që bën këtë puç pastër  institucional dhe nuk është pothuajse fare me rregullat dhe normat e një shteti demokratik. Unë kam 18 vite në PD, jam anëtar i kryesisë së kësaj partie, jam një nga deputetët më të votuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe mendoj se kjo sjellje apo ky reagim nuk ka asnjë element civil apo qytetar.

-Ndërkohë që Kryetarja Topalli ka qenë në Uashington, keni pasur ndonjë takim?

Jo nuk kam pasur takim, as kontakt.

-Ishit të veçuar?
Unë kam qenë në Delegacion të Këshillit të Europës.

-Ndërkohë mediat kanë njoftuar që është propozuar deputeti i PD, Ilir Rusmajli keni kontaktuar me të pasi edhe ai nga informacionet që kemi patur edhe ai ka qenë i surprizuar?

Nuk kam kontaktuar. Sot pasdite jam kthyer nga SHBA dhe po përpiqem që të kem kontakte institucionale për të marrë vesh se si ka ndodhur gjithë kjo histori?

-Mendoni se është një qëndrim personal i znj.Topalli në lidhje me shkarkimin tuaj?
Nuk gjej arsye dhe shkaqe që të ndodhte kjo gjë. Unë marrëdhëniet jo vetëm me znj.Topalli, por edhe me të gjithë anëtarët e tjerë të grupit parlamentar të PD i kam pasur normale. Nuk kam pasur asnjë problem sot për sot që të them se kanë një qëndrim personal ndaj Aleksandrit. Mendoj që në politikë njerëzit edhe n.q.s kanë gjëra personale duhet ti shmangin, sepse ne jemi përfaqësues të zgjedhur me votë popullore. Ne përfaqësojmë një bashkësi qytetare, të cilën e kanë votuar.

-Po përsa i përket komunikimit me kryeministrin?
Realisht kur mora konfirmimin nga Strasburgu jam përpjekur që të lidhem me z.Berisha po nuk kam pasur mundësi të lidhem, por mendoj se do të lidhem.

-Ndërkohë në qarqet gazetareske thuhet që z.Berisha po i eliminon patriotët e vet, vet ju apo edhe z.Besnik Mustafaj apo këtu nuk kemi të bëjmë me një luftë brenda llojit?

Nuk do të më pëlqente që ta quaja një luftë brenda llojit. Nuk e di nëse z.Berisha ka qenë i informuar për këtë shkelje të z.Topalli dhe mendoj që media i ekzagjeron pak gjërat. Unë nuk besoj që Berisha është një politikan që niset nga disa parime" jo Besniku, Aleksandri. Unë nuk iu besoj këtyre gjërave.

-Ju kishit përgatitur një projektligjit për ligjin e dosjeve, ndërsa nga ana e mazhorancës ka kaluar një ligj tjetër. A mund ta quajmë këtë rast të lidhur me qëndrimin që ju keni patur për ligjin e dosjeve?
Normalisht unë kam paraqitur një projektligj, i cili është më i zgjeruar se sa ligji që është miratuar në parlament dhe e kam votuar atë ligj pasi është një qëndrim politik. Mendoj që politika duhet të pastrohet nga ish-bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit. Ky ligj nuk është diskutuar fare në Këshillin e Europës. Duhet të ketë parasysh që K.E ka sekretariatin që është Terry Dejvis, i cili zgjidhet me një mandat 5 vjeçar dhe Asamblenë Parlamentare që përbën trupën legjislative. Z.Terry Dejvis ka pasur një prononcim në bazë informacioneve komenteve që i vijnë nga stafi i tij. Në Asamblenë Parlamentare nuk është diskutuar ligji i lustracionit, sepse as kohë fizike nuk ka pasur. Ligji është miratuar në 22 dhjetor, ndërkohë që Asambleja ka qenë e mbyllur dhe është hapur në 11 janar. Unë kontaktet me Terry Dejvis i kam pasur në shtator-tetor të vitit të kaluar.

-Ndërkaq znj.Topalli ju ka akuzuar publikisht për abuzime financiare për dy apo tre bileta, ju ç'përgjigje keni në këtë rast?
Kjo synon të spostojë vëmendjen nga problemi kryesor. Problemi kryesor është shkelja e rregullores së Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit është Kushtetuta. Nëqoftëse e shkel kryetarja imagjino çmund të ndodhi me të tjerët. Ne jemi për të mbrojtur  Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit. Çështja e biletave është një shpifje nuk është fare serioze. Unë i kam dërguar një kërkesë zyrtare fatkeqësisht nuk kam marrë përgjigje dhe znj Topalli ka zyrën e saj dhe ku mund të më informojë për takimin. Në të cilat duhet të marrë pjesë dhe kam kërkuar prononcimin e saj, i cili nuk ka ardhur. Unë kam marrë pjesë nëpër takime dhe kam përfaqësuar Shqipërinë në mandatet që unë përfaqësoj. Parlamenti nuk ka financuar në ato shpenzime. Unë i kam mbuluar nga shpenzimet e mia. Gjë që nuk është normale, sepse parlamenti duhet të përballojë shpenzimet e deputetëve në institucionet e ndryshme ndërkombëtare. Gjithsesi unë do të kërkoj një komision hetimor për të verifikuar të gjitha shpenzimet të Aleksandër Biberaj dhe të Jozefina Topallit.

-A keni kontaktuat me përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë, si e kanë pritur ata lajmin?
Kam pasur kontakte edhe me diplomatët në Tiranë. Janë të shokuar me këtë rast unikal. Natyrisht nuk e kanë pritur mirë pasi një veprim i tillë duhet të kenë parasysh që dëmton shumë imazhin e vendit. Realisht ne si delegacion jemi përpjekur që të krijojmë një imazh pozitiv dhe besoj se ia kemi arritur. Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë anëtarët e delegacionit. Pavarësisht nga bindjet politike jemi përpjekur që të përfaqësojmë Shqipërinë në mënyrën më dinjitoze. Delegacioni ka pasur arritjet e veta në Strasburg. Do të thosha që gjatë kësaj kohe ka qene edhe  çështja e Kosovës. Nuk më vjen mirë që në një moment të tillë që jemi përpara anëtarësimit të plotë në Nato dhe aplikimin në BE të ndodhin gjëra të tilla që vetëm sa dëmtojnë imazhin tonë.

-Si i shikoni marrëdhëniet me PD dhe lidershipin e saj?
Marrëdhëniet i shikoj në një nivel institucional. Nuk më shqetësojnë gjërat personale, sepse unë nuk kam asnjë gjë personale me asnjeri. Unë jam themeluesi i PD. Kam 18 vite në PD dhe natyrisht që do të vazhdoj të jem pjesë e strukturave të PD. Për pjesën e shpifjeve unë do ti drejtohem edhe gjykatave.

-Po porsa i përket marrëdhënieve tuaja me dy drejtuesit më të lartë Topallin dhe Berishën?
I kam pasur të mira. Pas kësaj që ndodhi me znj.Topalli krijohet një çarje, po përsëri nuk fus asnjë komponent personal. Unë përsëri do të vazhdoj të punoj në mënyrë institucionale. Kurse me z.Berisha i kam pasur dhe i kam të mira. Ne kemi 18 vite bashkëpunim. Natyrisht duke qenë në distancë, sepse unë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e stafit të z.Berisha. dhe uroj që z.Berisha të mos ketë pasur dijeni për këtë që është bërë.

Marrë nga Televisioni "Ora News"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›